(VIDEO) Eurogol nga Sebino Plaku, Teuta shlyen në Andora turpin e humbjes në Durrës

(VIDEO) Eurogol nga Sebino Plaku, Teuta shlyen në Andora turpin e humbjes në Durrës

July 28, 2021 0

Djemtë e Teutës luajtën me karakter dhe falë edhe një formacioni tepër sulmues nga trajneri Martini ata arritën të përmbysin disfatën 2-0 duke kaluar më tej me një fitore 3-0 që gjithsesi erdhi pas kohës shtesë.

Në Andorra, përballë një ekipi të dobët si Inter d’Escaldes, durrsakët e nisin menjëherë në sulm duke rrezikuar disa herë portën teksa në 25’, Sebino Plaku arriti të shfrytëzonte më së miri një krosim nga e majta për të tundur rrjetën dhe për t’i dhënë avantazhin Teutës.

Ekipi i Martinit mundohet të bëjë mirë në vijim duke ndërtuar aksione sulmuese, por vetëm në pjesën e dytë arrin të konkretizojë.

Zgjedhja e Plakut në formacion nga ana e trajnerit shkodran rezulton shumë e goditur pasi është sulmuesi veteran i cili me një goditje nga jashtë zone në minutën e 80’ bën të shpërthejë stoli i Teutës me golin e dytë personal.
Në sekondat e fundit, po Plaku ka një mundësi të artë për të shënuar golin e tretë por nuk arrin ta mposhtë portierin dhe kështu loja shkon në shtesa.
Në pjesën e parë të shtesës, Teuta merr një penallti të pastër dhe Kallaku nga pika e bardhë nuk gabon për t’i dhënë avantazhin dhe rrugën e kualifikimit Teutës.
Sfida përfundon 3-0 për Teutën e cila bëhet ekipi i parë shqiptar këtë sezon që arrin të kualifikohet në turin e tretë të Conference League dhe aty e pret një rival i forte si Shamrock Rovers.

revista.one/