Vrasja e Alket Muhajt në Memaliaj, Gjykata e Apelit Gjirokastër liron babë e bir

Vrasja e Alket Muhajt në Memaliaj, Gjykata e Apelit Gjirokastër liron babë e bir

June 4, 2021 0

Gjykata e Apelit Gjirokastër ka vendosur të lirojë Et’hem dhe Dino Muhaj, dy nga të dyshuarit kryesor për vrasjen e Alket Muhajt tre vite më parë, në Memaliaj. Problemi i akuzës qëndronte tek mungesa e provave.

Në seancën gjyqësore në 20 dhjetor të vitit të kaluar janë marrë në pyetje dëshmitarët, të cilët kanë mohuar të kenë dijeni për ngjarjen. Nga ana tjetër, avokati Tahir Novi pretendonte se klienti i tij po mbahej padrejtësisht pas hekurave, pasi prokuroria nuk ka prova për fajësimin e tyre.

“Prokurori ka paraqitur një kërkesë për gjykim me prova indirekte sikurse e shkruan ai vetë në kërkesën ankimore. Nuk ka asnjë provë direkte në faktin se janë të pandehurit ata që kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Janë pyetur një numër jo i vogël dëshmitarësh por asnjë prej tyre nuk thotë se ka qenë i pranishëm dhe ka parë asgjë në lidhje me kryerjen e vrasjes” – tha avokati Tahir Novi.

Sipas avokatit, bashkëshortja e Muhajt, ka deklaruar se është vrarë nga trafikantët e drogës dhe jo nga kushërinjtë.

“Një pjesë e dëshmitarëve janë të gjithë të akuzuar dhe kanë vuajtur dënim për kultivim të bimëve narkotike. Gruaja e të ndjerit në hetim është shprehur  se burri i saj është vrarë nga personat që kultivonin lëndë narkotike. Është larguar nga Shqipëria në Francë dhe nuk është paraqitur në gjykimin e çështjes” – është shprehur mbrojtësi.

Gjyqi ndaj Etem dhe Dino Muhajt pasi u zhvillua dy vjet e gjysmë rresht në Gjykatën e Faktit në Gjirokastër me gjyqtar Pëllumb Vehbi dhe prokuror Julian Cafka. Ndër dyshimet kryesore të organit të akuzës është se Alket Muhaj është vrarë për shkak të konflikteve të përsëritura me motive pronësie.

Mirëpo mbrojtja pretendon se Etem dhe Dino Muhajt nuk kanë lidhje me vrasjen pasi nuk kanë qenë në fshat më 8 Shtator 2018, kur u gjet i pajetë 43-vjeçari.

Gjykata e Apelit në Gjirokastër, sot konstatoi se pretendimi i palës mbrojtëse ishte i bazauar ne ligj. Procesi gjyqësor në Gjykaten e Faktit zgjati 2.5 vjet dhe për këtë shkak dy personat e akuzuar duhet të mos qëndronin më në paraburgim. Kujtojmë se dyshimet kryesore pas vrasjes së Alket Muhajt në vitin 2018, ranë mbi babë e bir për shkak të konflikteve të mëparshme që ata kishin patur me viktimën për motive pronësie.

Një tjetër pistë mbi vrasjen e Alket Muhajt ishte edhe ajo e dekonspirimit. Dyshohet se trafikantë që mbillnin kanabis në zonë dyshonin se Muhaj informonte policinë mbi parcelat e drogës që mbilleshin në zone. Tashmë ata janë të lirë nga prangat dhe prej akuzës.