“Baresha”, testament i këngës shqipe që la Nexhmije Pagarusha

“Baresha”, testament i këngës shqipe që la Nexhmije Pagarusha

February 16, 2023 0

Nëse nuk e dini se cila është kënga më e famshme e Nexhmije Pagarushës, atëherë sipas së gjitha gjasave nuk jeni nga ky planet dhe ju rekomandohet fort që të merrni në dorë ndonjë libër tjetër. Nëse megjithatë ngulmoni ta dini, mund t’jua japim një ndihmë të vogël: nis me B dhe përfundon me A. Ka 6 shkronja. Dhe një shtrirje vokale që të lërë pa mend.

Trashëgimia muzikore e Nexhmije Pagarushës përfshin mbi 150 këngë të interpretuara prej saj. Mes tyre, ajo që konsiderohet testament i këngës shqipe është e famshmja “Baresha”.

Tekstit të shkrimtarit Rifat Kukaj, melodinë ia thuri kompozitori Rexho Mulliqi, e zërin ia dha Nexhmije Pagarusha. Autor i këngës më të njohur të Pagarushës, por edhe ndërshqiptare në përgjithësi është bashkëshorti i saj i ndjerë, kompozitor e disident politik i viteve ‘50, ish i burgosur i Goli Otok-ut zulmëkeq, Rexho Mulliqi.

“Baresha” e kënduar prej Bilbilit të Kosovës u bë kënga më e famshme shqiptare qysh kur u interpretua për të parën herë rreth vitit 1970. Kënga, që një kompozitor e quan “letërnjoftim” i muzikës shqiptare, qe kompozuar për një festival në Jugosllavinë e atëhershme. Interpretimi për të parën herë i këngës që bëri historinë është rrëfim më vete.

Nexhmije Pagarusha e rrëfen më së miri atë tek kthehet në kohë për t’i kujtuar pasiguritë e veta, kur Mulliqi i kishte treguar se e kishte kompozuar një këngë për të. “Bareshën”, Nexhmija do ta mësonte rrugës drejt festivalit, ku e kishte kënduar për të parën herë. Me sinqeritetin e një fëmije, Nexhmija i rrëfen prapaskenat e këngës që Rexho Mulliqi e kishte kompozuar, duke i besuar potencialit të saj vokal. Edhe ajo e mban mend se kënga u bë enkas për një festival.

“Bareshës ia kemi nisë… ka qenë një festival nëpër Jugosllavi edhe qytetet, edhe krahinat, edhe krejt shka ka bashkë, edhe kombet që i kemi na krejt. Rexha, Rifat Kukaj e shkrujti tekstin bile s’e kom ditë që e ka shkru ai se s’u përzisha, unë e kisha punën në diskotekë. Ky Rexha po thotë: ‘Ec’ – tha – ‘ta kom shkru nji kangë për këtë festival’. Unë u duhke me shku se mu më çojshin… ia nisi, kurrë s’e harroj more hiç, hiç as… unë me valixhe në dorë në korridor, autobusi po më shkon për Fushë të Kosovës, masanej me shku në Beograd… thashë: ‘Qysh kom me msu bre?’ Thashë: ‘Qysh, qysh, shka po më bon?’… ‘E mson, e mson ti’. ‘Qysh more’, thashë, ‘e msoj, as s’i kom kqyr notat bile’. Nesje, s’kisha shka me bo e mora qashtu veç të kryme,… ata e kom msu rrugës. Kudo qi kom shku, a vend i vogël a vend i madh jon çu në kambë edhe kolegët u tranojshin, gjithmonë rrishin mrapa binës me më ndëgju. Ajo ka qenë nji muj ditë … edhe tash po kthehna une në Beograd për me ardhë në Prishtinë, e kom pasë nji shoqe të ngushtë edhe iu lajmërova thashë: ‘Unë po shkoj për Prishtinë’. ‘Jo, ki me ardhë te une me flejtë’. ‘Jo bre’, i thashë, ‘çfarë të flejtni.. qe nji muj ditë s’jom në shpi’”

Kënga ishte bërë një sukses i përnjëhershëm, por ende nuk ishte luajtur në Kosovë. Nexhmija po e priste shpërthimin e duartrokitjeve edhe në mesin e të sajve.

“Çdo republikë, çdo krahinë e çojke kangtarin e vet (në festival v.j.) e ata mu m’kanë zgjedh, edhe Rexha ma shkrujti ‘Bareshën’, bile hala s’e kish shkrujt, une me valixhe n’dorë u dufke mu nis n’stacion t’ferovisë me shku n’Beograd. Thashë: ‘A je normal?’ Nejse edhe kemi shku gjithkah. Mos vet! Çfarë apllauzi, çfarë nderimi e… jemi kanë n’Vranje prej Vranjes n’Mitrovicë kemi ardhë n’Kosovë edhe po ma bojnë këta kolegët: ‘Aaa tash ti aty ki me pasë sukses’… Thashë: ‘Paj duhet… se une jom prej atyhit’”.

Nexhmije Pagarusha hedh një shikim të përhumbur diku larg, në një pikë gjasme të imagjinuar e abstrakte diku përtej.

“A din çka m’kanë bo n’Mitrovicë? Krejt, plot salla shiptarë u kon, gjashtë orë, gjashtë orë zgjat ‘Baresha’”.

Duket se është habitur. “Baresha” zgjat gjashtë minuta, por atë ditë në Mitrovicë, me gjasë, do t’i jenë dukur si gjashtë orë.

“Gjashtë minuta. Gjashtë minuta, krejt salla m’kanë fishkllu: ‘Tiuuuu, uaaaa, bibibibi,… tiuuuu, uaaaa, bibibibi’. A din çka m’ka ardhë? Veç jom majt…, e kom mujt me përballu qato, edhe u majta mirë, edhe masnej këta kolegët: ‘Ku-ku pse, qysh kit kong…” Anej-knej. ‘A din shka’, thashë, ‘ka njerz qi dishka u pëlqen, dishka s’u pëlqen’. Thashë: ‘Sigurisht kanga s’po u pëlqen’. ‘Qysh këtë kangë?!’….”

Nexhmije Pagarusha nuk ngurron të flasë për momentet e sikletshme. Sinqeriteti është veti flamur i personalitetit të saj. Nuk e fsheh. Një këngë që sot adhurohet kudo, gati gjysmë shekulli më parë, kur qe krijuar, nuk qe pëlqyer në Kosovë.

Rexho Mulliqi është shkaktari që Nexhmijen e ngriti edhe më lart, thotë Fahri Beqiri, bashkëpunëtor i afërt i Nexhit. Ai e ka përcjellë më së miri nga afër rrugëtimin e Nexhmije Pagarushës nëpër dekada, duke qenë një prej bashkëpunëtorëve të saj.

“Mjafton me përmend ‘Bareshën’, që është ikonë e Rexho Mulliqit dhe ikonë e interpretimit dovros të Nexhmijes edhe mbeti në të gjitha hapësirat e shqiptarisë si Kuran, Kurani i mirëfilltë i një interpretimi të një kange çfarë ishte ‘Baresha’, mbeti edhe sot e asaj dite aktual. Po e këndojnë, po e interpretojnë ma shumë femra sesa mashkuj, sepse ajo është shkru edhe për zërin e Nexhmisë, se njeriu ka kufizime në interpretimin e lartësive dhe të thellësive. E Rexhoja, ia ka marrë thellësinë maksimale të Nexhmijes dhe lartësinë maksimale, prandej ajo kangë ka vlerë në këtë aspekt që është shkru për nji person, vetëm për të… në atë kohë majtas-djathtas s’ka mujtë me u gjetë personi me atë thellësi edhe me atë lartësi. Prandej, ka metë ajo kangë, të them, ‘letërnjoftim i këngës shqipe’, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri po ma majtas e djathtas”, thotë Beqiri.

Motivin e “Bareshës”, Mulliqi e ka inkorporuar edhe në “Simfoninë Kosovare” dhe kësisoj mund të thuhet që kënga ekziston edhe si pjesë klasike për orkestër, pa tekst dhe pa zërin e Nexhmijes. Mirëpo, ky version ka mbetur thuajse i panjohur në publik. Dirigjenti Baki Jashari thotë se partiturat origjinale të “Bareshës” i posedon vajza e Rexho Mulliqit, nga një martesë tjetër, Vesna Mulliq, e cila jeton në Beograd.

“Fatmirësisht, bashkëpunim me Filharmoninë e Malit të Zi, të Podgoricës dhe falë njohjes me drejtorin Zharko Mirkoviq, me të cilin kemi bashkëpunu në kohën e ish-Jugosllavisë si delegatë në një festival të madh jugosllav që ka qenë tribina e krijimtarisë muzikore jugosllave, kanë qenë të përfaqësuara të gjitha republikat dhe krahinat në atë kohë dhe une kom qenë në një kohë dyvjeçare. Delegatët kanë qenë nga secila qendër të themi e Jugosllavisë që është mbajtë në Opati, në Kroaci dhe falë asaj njohjes që ne kemi bashkëpunu në atë kohë, ai vjen në nji ka disa vite tash është shumë moti, në një koncert të Filharmonisë, në Prishtinë, dhe në bagazh të makinës time në parking për habi timen ma jep nji partiturë dhe thotë unë nuk ta kom dhanë, s’di kush ta ka dhanë – kur e shikoj Rexho Mulliqi “Simfonia Nr. 2”, e cila është humbë, nuk gjindet, është djegë këtu dhe kopjet apo origjinalet i ka vetëm vajza e Rexho Mulliqit, që jeton në Beograd, e cila është kontaktu dhe ajo s’ka pranu natyrisht asnjëherë…”.

Të shumtë janë ata që e kanë kënduar e ripërpunuar “Bareshën”. Dhe të gjithë e pranojnë se interpretimet e tyre mbeten të pakrahasueshme me atë të Nexhmijes. Edhe kompozimi i Mulliqit është luajtur gjithandej. Është prej veprave më të njohura shqiptare. Një interpretim i saj me solistin Shkëlzen Doli në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë më 2015 kishte ngritur në këngë të gjithë të pranishmit. Doli, i cili është violinist i Filarmonisë së Vjenës, e që në koncertin e Vitit të Ri, më 1 janar 2015, në pauza luajti muzikë shqiptare, ka bërë një videoklip special për “Bareshën”. Vepra përshkruhet si kompozimi më brilant i një muzikanti që melosin popullor e ka gërshetuar me muzikë klasike. Sa i përket këngës, Elina Duni e ka prekur me elemente jazzi këngën e njohur shqiptare dhe thotë se “Bareshën” e ndien sikur të ishte pjesë e saja.

“Kam tashmë 11 vjet që e këndoj dhe çdoherë e dua si në momentin e parë. Është një këngë e thellë, interesante në melodi, harmoni, ritmikë, në poezi. Është edhe e gëzueshme dhe e trishtueshme. Përmban paradoksin e melosit ballkanas, ku kufiri midis gëzimit dhe hidhërimit nuk është i qartë. Ka pak këngë kaq të gjithanshme sa ‘Baresha’ dhe, sidomos, mbas takimit me Nexhmijen m’u duk sikur edhe ajo e dha pëlqimin e saj dhe se kënga u bë edhe më shumë imja!”, thotë Duni, e cila në repertorin e saj gjithandej botës e këndon edhe versionin e saj të këngës “Sytë për ty i kam të njomë” të Nexhmijes.

Kjo këngë e prek shumë për faktin se është një femër që i këndon hënës për të dashurin e saj – ndonëse në këngët me elemente folku të asaj kohe janë meshkujt që i këndojnë dashurisë. Është biçim i thyerjes së rregullave. Nexhmije Pagarusha ka lindur t’i thyejë rregullat.

Marrë nga monografia “Nexhmije Pagarusha”, botuar nga “Integra” në shtator të vitit 2019, me autorë Shaban Maxharraj dhe Elvira Berisha