Nipi i Alqi Bllakos?/ U shiste vepra arti mafiozëve të pasur shqiptarë, reperi gjobitet me 10 milionë dollarë
June 21, 2022Artist, reper apo kriminel? Figura enigmatike dhe shpesh e diskutueshme e njohur si Gio Basha sapo është gjobitur me 10 milionë dollarë nga SEC (komisioni i letrave me vlerë dhe këmbimit) dhe kjo nuk është përplasja e tij e parë me ligjin. Në vitin 2011 Basha po hetohej nga FBI dhe DD për pastrim parash me dajën e tij, politikanin shqiptar Alqi Bllako, raporton media britanike “Ventsmagazine”.
Duket se imuniteti diplomatik luajti një rol në rrëzimin e këtij hetimi, megjithatë llogaritë bankare të Bashës u bllokuan dhe pasuritë e tij u sekuestruan. Në vitin 2021 Basha thuhet se fitoi mbi 15 milionë dollarë në industrinë private të artit, por ai u vu sërish nën hetim për pastrim parash dhe këtë herë firma e kapitalit privat të Bashës u gjobit me 3 milionë dollarë nga SEC për dështimin në zbatimin e politikave dhe procedurave të pajtueshmërisë që parandalojnë keqpërdorim të materialit, informacionit jopublik. Sipas një raporti të ICC-së, dyshohej se Basha u shiste vepra arti vetëm mafiozëve të pasur shqiptarë dhe trafikantëve ndërkombëtarë të drogës. Një hetim tregoi se, ndryshe nga shitja e aksioneve ose kryerja e transfertave rutinë bankare, shitjet e artit privat përmes shtëpive të ankandeve nuk i nënshtrohen dispozitave kundër pastrimit të parave në Aktin e Sekretit Bankar. Basha ishte në gjendje ta shfrytëzonte këtë boshllëk, sepse kur arti shitet, shitësit nuk u kërkohet të konfirmojnë identitetin e blerësit dhe as të sigurohen që vepra e artit të mos përdoret për të pastruar paratë e pista. Muajin e kaluar, një bastisje në një rezidencë në Itali, që i përkiste një bosi të njohur mafioz sicilian, e çoi FBI-në menjëherë te Gio Basha.
Sipas një raporti italian të AISE, Basha veproi si ndërmjetës në mbi 300 marrëveshje private të artit, duke përdorur një sistem të quajtur banking hije, ai ishte në gjendje të pastronte miliona për politikanët e korruptuar dhe oligarkët rusë.
Reagon Alqi Bllako
Avokati, Sokol Hazizaj ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar nga mediat e huaja sipas të cilave, nipi i ish deputetit Alqi Bllako, ishte gjobitur me 10 milionë dollarë si i përfshirë në pastrim parash.
Nëpërmjet një deklarate zyrtare, avokati ka përgënjeshtruar lajmin e publikuar nga mediat e huaja, duke thënë se sipas tij, Alqi Bllako nuk kishte asnjë lidhje familjare me shtetasin Gio Basha.
Deklarata e Plotë:
Përgënjeshtrim
Lajmet e sotme që lidhin klientin tim Alqi Bllako me një shtetas të quajtur Gio Basha janë të pavërteta. Zoti Alqi Bllako nuk ka asnjë lidhje gjaku apo njohje me këtë person. Në vitin 2011 Alqi Bllako ishte student në master, duke u diplomuar me një tjetër medalje të artë për rezultate të shkëlqyera.
E vërteta nuk mund të mbulohet me sajesa të tilla sa të shëmtuara, aq edhe qesharake. Shpreh keqardhje të thellë që mediat, të cilat kanë publikuar lajmin e sajuar nga asgjëja, bëhen pjesë e skemës kundër klientit tim, duke mos respektuar asnjë standard minimal për verifikimin e vërtetësisë së lajmit.
Si përfaqësues ligjor i zotit Bllako, ju informoj se nga hulumtimet tona media burim është një media e huaj, dhe po konsiderojmë të lidhemi me studiot e huaja avokatore, për të ndjekur hapat e duhur, jo vetëm për përgënjeshtrimin e lajmit, por edhe proçedurat e mëtejshme ligjore.
revista.one/