(VIDEO) Zbardhet ngjarja në Athinë me 3 viktima e 3 të plagosur/ Kush është korçari që hapi zjarr i pari, në pranga një shqiptare, 5 të shoqëruar
July 3, 2022Athina u përgjak mbrëmjen e djeshme nga të shtënat me armë zjarri në dy lagje të ndryshme të saj që lanë pas 3 të vdekur dhe 4 të plagosur, mes të cilëve dy policë. Dy shtetasit shqiptarë të vrarë mësohet se janë Jani T. dhe Gëzim A., rreth 30 vjeç, të dy me precedentë penale në fushën e narkotikëve.
Në spital për shkak të plagëve të marra humbi jetën dhe shqiptari i tretë.
Ngjarja
Burimet bëjnë me dije se ngjarja ka nisur fillimisht në rrugën “Krotidou” në lagjen “Kato Patisia” ku nga një automjet “Mercedes- Benz” është hapur zjarr ndaj drejtuesit të një motori, duke e plagosur rëndë këtë të fundit.
Pas motorit ndodhej një makinë tip Audi, brenda të cilit ndodheshin dy persona, mes të cilëve në timon edhe babai i viktimës . Duke parë ngjarjen, ky i fundit ka hapur zjarr ndaj makinës “Mercedes-Benz” duke lënë të vdekur atentatorin e djalit. Nga mjeti “Audi” ka dalë pasagjeri dhe në tentativë për t’u larguar me vrap për t’u fshehur është goditur nga një automjet në lëvizje duke mbetur i plagosur. Ai ndërroi jetë në spital.
Një tjetër person ndërkohë ka dalë nga automjeti tip “Mercedes-Benz” dhe me kërcënimin e një arme ka ndaluar një mjet në rruge duke e grabitur e më pas ka ikur me të. Ai është drejtuar për në lagjen “Agion Anargiron” ku burimet flasin se ka tentuar të grabisë një karburant dhe një market.
Më pas ka dalë në rrugë dhe ka ndaluar një patrullë policie duke e menduar për taxi. Sapo ka parë policët ka hapur zjarr ndaj tyre duke i plagosur ndërkohë që edhe policët janë kundërpergjigjur duke e vrarë shqiptarin.
Mësohet se dy shqiptarët e vrarë, të cilët rezultojnë shokë me njeri tjetrin pasi të dy ndodheshin në automjetin “Mercedes-Benz”, rezultojnë të arrestuar për çështje droge në maj të vitit të kaluar në Athinë.
Hetimi
Deri më tani në pranga është vënë vetëm vajza shqiptare që drejtonte makinën “Mercedes Benz”, pesë persona të tjerë po merren në pyetje ndërsa janë sekuestruar dy pistoleta, 3 vetura dhe një motoçikletë.
Në spital të plagosur ndodhen 3 persona, dy policët dhe një shtetas shqiptar që në tentativë për t’u larguar gjatë shkëmbimit të zjarrit, u përplas nga makina.
Sipas mediave vendase, fillimisht sherri ka nisur mbrëmjen e së shtunës në lagjen “Kato Patisia” të kryeqytetit grek.
Një makinë tip “Mercedes Benz” me targa shqiptare që drejtohej nga një vajzë dhe si pasagjer ndodheshin dy persona të tjerë, i kanë zënë pritë një djali të ri që lëvizte me një motoçikletë.
I riu që udhëtonte me motoçikletë ndërron jetë në spital gjatë orëve të para të mëngjesit.
Në vendngjarje, u gjend edhe babai i drejtuesit të motoçikletës, i cili ndoqi “Mercedesin” me një automjet tip “Audi” dhe qëlloi me armë duke e lënë të vdekur në vend personin nga pala kundërshtare.
Babai i shqiptarit që lëvizte me motoçikletë është identifikuar si Adil Tefa, me origjinë nga Korça.
Ai konsiderohet si kreu i grupit kriminal që merrej me trafikun e drogës.
Sapo mbërriti në vendngjarje, policia u vu në ndjekje të makinës “Toyota”, të cilën e gjeti të pakuar jashtë një lokali në lagjen “Ajos Anargjiros”, ku dyshohej se do të kryente grabitje.
Policia i bëri thirrje shqiptarit që të dorëzohej, por i riu qëlloi drejt tyre duke i lënë të plagosur dy efektivët, njërin në këmbë e tjetrin në shpatull. Policia u kundërpërgjigj duke vrarë autorin.
Dy nga 3 viktimat janë identifikuar si Jani dhe Gëzim, rreth 30 vjeç.
Mediat e huaja shkruajnë se të tre viktimat janë shtetas shqiptarë që kishin njohje dhe lidhje miqësore me njëri-tjetrin, e që përplasja mes tyre kishte nisur për shkak të drogës.
Tre shqiptarët e vrarë rezultonin të arrestuar në maj të vitit të kaluar në Athinë, si të përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Njoftimi zyrtar i policisë greke:
“Lidhur me një ngjarje të ndodhur ditën e djeshme në Patisia, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur për vdekje 3 të huaj (48, 46 dhe 23 vjeç), një e huaj (43 vjeç) u arrestua dhe 2 efektivë policie po trajtohen për plagosje në spital.
Mbrëmjen e djeshme në zonën e Patisias, një i huaj 48-vjeçar duke drejtuar një makinë, me pasagjere një të huaj 43-vjeçare, ka qëlluar në drejtim të një grupi të huajsh, duke tërhequr zvarrë njërin prej tyre (23-vjeçar i huaj).
Më pas e huaja duke drejtuar mjetin, ka tërhequr zvarrë 23-vjeçarin, ndërsa 48-vjeçari është arratisur në këmbë dhe nën kërcënimin e armës, i ka marrë një makinë shoferit që kalonte dhe është nisur drejt zonës së Acharnit.
Më pas, ai hyri në një dyqan të kujdesit shëndetësor dhe i ka marrë me armë pronarit një shumë parash. Duke dalë nga dyqani, është kapur nga oficerët e policisë së urgjencës, të cilët kanë tentuar ta neutralizojnë.
48-vjeçari në sy të policëve ka qëlluar drejt tyre duke plagosur njërin në gjoks dhe këmbë dhe të dytin në këmbë. Në këtë kuadër, policia i është kundërpërgjigjur zjarrit duke e plagosur për vdekje.
Deri më tani janë sekuestruar dy pistoleta, 3 vetura dhe një motoçikletë dhe pesë persona të tjerë janë futur dhe po merren në pyetje.
Hetimet janë në vazhdim dhe pas përfundimit do të ketë një përditësim.
Një hetim paraprak po kryhet nga Drejtoria e Sigurisë së Atikë.“
revista.one/