Jepet çmimi “Nobel”, reagon çifti Kadare: Nuk e njohim shkrimtaren fituese
October 6, 2022Shkrimtarja franceze Annie Ernaux fitoi çmimin ‘Nobel’ në letërsi.
Annie Ernaux i është dhënë çmimi “për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”, tha komiteti i çmimit Nobel.
Euronews ndoqi ‘live’ reagimin e shkrimtarit kombëtar shqiptar, Ismail Kadare, i cili e ka ndjekur ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel, i ulur në një nga lokalet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë me bashkëshorten dhe miqtë e tij.
I pyetur nga Euronews nëse ishte zhgënjyer që përsëri nuk kishte mundur të fitonte këtë çmim, Kadare u përgjigj se nuk kishte asnjë lloj përjetimi.
“Siç e shikoni nuk kam ndonjë përjetim. 40 vjet më parë edhe mund të kisha”, tha Kadare.
Ndërkohë bashkëshortja e tij, Helena Kadare u shpreh se shkrimtaren që fitoi Nobelin nuk e njohin, madje nuk e kanë dëgjuar edhe pse prej shumë vitesh jetojnë në Francë.
“Nuk e njohim shkrimtaren që fitoi Nobelin, edhe pse jetojmë në Francë. S’e kam dëgjuar kurrë, për të njohur jo se jo, por nuk e kam dëgjuar as si emër. Derisa në Nobel është e njëjta juri dhe ka thënë jo 40 vjet, nuk ke pse ta ndryshosh mendimin”, u shpreh shkrimtarja Helena Kadare.
Ndërsa botuesi Bujar Hudhri u shpreh se është një zhgënjim që çmimi “Nobel” në letërsi nuk i është dhënë asnjëherë shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.
“Përjetimi im nuk ka si të ndryshojë nga ai i çdo lexuesi shqiptar, duke njohur Kadarenë në kaq vite krijimtari, edhe nga brezi i ri e di vlerën e Kadaresë, është një zhgënjim. Pavarësisht se është një çmim privat, dhe nuk mund ta kritikojmë, është një zhgënjim. Unë fituesin e Nobel nuk e kisha njohur asnjëherë”, u shpreh ai.