Koalicionet/ ‘PD-Aleanca për ndryshim’, zbardhet marrëveshja mes Bashës dhe 13 aleatëve
February 24, 2021Nën siglën, ‘Partia demokratike – Aleanca për ndryshim’, kreu i PD-së Lulzim Basha, ka kristalizuar marrëveshjen me 13 aleatët e tij për të shkuar së bashku në një koalicion në zgjedhjet e 25 prillit. Pjesë e këtij koalicioni, do të jetë PR e Fatmir Mediut, aleati më i vështirë për t’u bindur, LZHK-ja e Dashamir Shehit, PAA e Agron Dukës, PDK e Nard Ndokës, PBDNJ e Vangjel Dules, PDIU e Shpëtim Idrizit, Balli Kombëtar i Artur Roshit nga opozita parlamentare, PBLD e Arjan Staroves, PBD e Ylber Valterit, PBDM e Mustafa Licit, PLL e Shpëtim Axhamit dhe PKD e Dhimitër Muslias. . Surprize ka qene perfshirja e FRD te Bamir Topit qe pas “divorcit” nga Sali Berisha rikthehet ne familjen e vjeter politike. Një koalicion që bashkon edhe armiqtë e tjerë historikë si grekët e PBDNJ me çamët e PDIU, ose Republikanët e Fatmir Mediut me Monarkët e Shpëtim Axhamit. LSI e Monika Kryemadhit do te garoje e vetme.
PD do të jetë udhëheqëse e koaliconit opozitar, ndërsa për dorëzimin e saj në KQZ është autorizuar Ivi Kaso. Marrëveshja nuk përmban sa kandidatë do këtë secili aleat dhe në çfarë niveli të listës. Termat konkrete të bashkëpunimit brenda koalicionit, në dokument shkruhet se do të përcaktohen nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe të partive politike në përbërje të tij. Kurse numri përkatës i kandidatëve qe do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve të koalicionit.
Deri më tani Basha ka firmosur marrëveshjen pothuajse me të gjithë aleatët, ndërsa me FRD dhe BK është ende në negociata. Pak më parë Basha ka dalë nga selia e PD dhe sot në orën 19:00 pritet vendimi zyrtar. Nga ana tjetër, LSI do të garojë e vetme në zgjedhjet e 25 prillit.
LSI e PD do të kenë kandidatë të përbashkët në qarkun e Dibrës dhe Kukësit. Një mënyrë e tillë, pra të dalurit me 2 lista të veçanta, sipas Bashës dhe Kryemadhit është bërë me qëllim maksimalizimin e votave për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramws.
LSI do të garojë e vetme në zgjedhjet e 25 prillit në të gjithë vendin me përjashtim të dy qarqeve Kukës dhe Dibër. Një parti që garon e vetme nuk i lejohet të vendosë kandidatë në koalicione por nga ana tjetër ka detyrimin të ketë kandidatë në çdo zonë zgjedhore. Për të respektuar kodin zgjedhor LSI do të ketë lista të saj në Dibër dhe Kukës me emra pa potencial për t’u zgjedhur ndërsa kandidatët që kanë mbështetje elektorale do ti fusë në listën e koalicionit të PD për të marrë mandate. Pra në këto dy qarqe logo e LSI nuk do të jetë, por do të jetë ajo e PD. Megjithatë KQZ pritet të marrë vendim nëse i lejohet që LSI të dalë me kandidatë të përbashkët me PD në këto dy qarqe në një kohë që nuk është pjesë e koalicionit.
Ky koalicion pritet të dorëzohet në orën 19:00 në KQZ, ditë në të cilën përfundon edhe afati. Ndërkohë që mazhoranca do të jetë e vetme, ku siç ka deklaruar kryeministri Edi Rama, koalicioni i vetëm i PS-së do të jetë vetëm me qytetarët.
Koalicioni ‘‘Aleanca për ndryshim”
PD, kryetar Luzim Basha (Udhëheqëse e koalicionit)
PAA, kryetar Agron Duka
LZHK, kryetar Dashamir Shehi
FRD, Bamir Topi
PBDNJ, kryetar Vangjel Dule
PR, kryetar Fatmir Mediu
Balli Kombëtar, kryetar Artur Roshi (Pjesë e opozitës parlamentare)
PDK, kryetar Nard Ndoka
PDIU, kryetar Shpëtim Idrizi
Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova
Bashkimi Demokrat, Ylber Valteri
Mendimi Djathtë Liberal, Mustafa Lici
Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami
Kristian Demokrate, Dhimitër Muslia.
Koalicioni i dytë/ Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri dhe Kostaq Papa sfidojnë Ramën dhe Bashën
Formohet koalicioni tjetër për zgjedhjet e 25 prillit, Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri dhe Kostaq Papa sfidojnë Ramën dhe Bashën
Dita e sotme është edhe afati i fundit për të regjistruar koalicionet në KQZ, ku partitë politike kanë mundësi që të garojnë me një listë të përbahskët.
Pas koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim, i formuar nga Partia Demokratike dhe 13 parti aleate, një tjetër koalicion ka bërë kërkesë për t’u regjistruar në KQZ.
Bëhet fjalë për 4 subjekte politike, të cilat janë: Partia Konservatore Albania me kryetar Kujtim Gjuzin, Partia Ora e Shqipërisë me kryetar Zef Shtjefnin, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë me kryetar Selami Jenisheri dhe Partia Emigracioni Shqiptar, me kryetar Kostaq Papa.
Koalicioni do të quhet “Aleanca Ora Komëbtare – Emigracioni – Bashkimi Popullor dhe Konservatorët”.
Të katër këta kryetarë partish janë edhe deputetë të Kuvendit, të cilët u futën në Parlament pas lënies së mandateve nga ana e opozitës. /revista.one/