Fatmir Mediu merret nën hetim nga Spak-u për tragjedinë e Gërdecit

Fatmir Mediu merret nën hetim nga Spak-u për tragjedinë e Gërdecit

May 6, 2021 0

Fatmir Mediu merret nen hetim nga SPAK-u për tragjedinë e Gërdecit. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nis hetimet për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë në fabrikën e demontimit të armëve në fshatin Gërdec.

SPAK ka bërë revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes ndaj Mediut, pas kallëzimit të Feruzant dhe Zamira Durdaj, prindër të 7-vjeçarit që humbi jetën në këtë tragjedi.

26 persona mbetën të vrarë dhe 27 të tjerë u plagosën rëndë në shpërthimin e 15 marsit në 2008 në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec.

SPAK argumenton se çështja u pushua për shkak të imunitetit që Mediu kishte si deputet, pengesë që tashmë nuk ekziston.

NJOFTIMI I PLOTË:

Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është depozituar kërkesa e shtetasve Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, trashëgimtarë të viktimës E.D., i cili ka humbur jetën në moshën 7 vjeç, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.

Nga analizimi i pretendimeve të parashtruara në kërkesën e mësipërme, nga rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera lidhur me faktet e pretenduara, si dhe nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Konkretisht, në datën 15.03.2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e ç’militarizimit dhe ç’montimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qëndra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.243.843.616 lekë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

në datën 05.05.2021 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjesh penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.

revista.one/