Më në fund, një presidente siç e duam, Osmani e detyron Vuçiqin të ikë nga takimi

Më në fund, një presidente siç e duam, Osmani e detyron Vuçiqin të ikë nga takimi

May 17, 2021 0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin e presidentëve të rajonit në Brdo-Brijun, duke folur për perspektivën e BE-së dhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon, ka theksuar se nuk mund të kalohet në kapitujt vijues përpara se të lexohen dhe kuptohen plotësisht kapitujt e mëparshëm.

Presidentja Osmani ka theksuar se është e nevojshme pranimi i së vërtetës për atë që ka ndodhur në rajon.

“Kur flasim për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat. Dhe më e rëndësishmja, kur flasim mbi atë se pse nuk janë prapa hekurave autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit. Përtej detyrës sime si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore e imja të flas të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në vendin tonë.  Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.  Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, ka potencuar Presidentja Osmani.

Sipas njoftimit për media të Presidencës, Osmani ka thënë se në vend të përgjegjësisë po ndodh mohimi dhe revizionizmi historik i asaj që ndodhi gjatë viteve të 90-ta në rajon,

“Lidershipi i përgjegjshëm dhe i guximshëm kërkon refuzim të vendosur të një veprimi të tillë të ndyrë”, ka theksuar [presidentja Osmani. 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është larguar para përfundimit të samitit, me arsyetimin se ka takime në selinë e NATO-s në Bruksel, raporton Evropa e Lirë.

Ai citohet t’u ketë thënë gazetarëve serbë se nuk ka pranuar që në konkluzat e takimit, të përmendet mosndryshimi i kufijve në rajon, pa u përfshirë edhe kërkesa e Serbisë, që kjo të nënkuptojë “mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, që sipas tij, nuk është pranuar nga presidentja e Kosovës.

Vuçiq ka insistuar se Kosova është “pjesë e Serbisë” dhe se “me shpalljen e pavarësisë së Kosovës po ashtu nuk është respektuar parimi i mosndryshimit të kufijve”.

Në takim morën pjesë presidentja e Kosovës, Vosa Osmani-Sadriu, krahas kolegëve nga shtetet tjera të rajonit, presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, Stevo Pendarovskit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiqit të Serbisë ndërsa nga Bosnja e Hercegvoina janë ftuar të tre anëtarët e presidencës kolektive të këtij shteti, Shefik Xhaferoviq, Zheljko Komshiq dhe Millorad Dodik.

Para samitit në Bërdo, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor ka zhvilluar disa vizita përgatitore nëpër vendet e rajonit.

Ai një ditë më parë në Bled të Sllovenisë ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Millanoviq, bashkëkryesuesin e samitit të sotëm.

Millanoviq ka thënë se qëllimi i takimit është që t’u ndihmohet fqinjëve që “sa më shpejtë dhe sa më lehtë, nëse është e mundur, të hyjnë në Bashkimin Evropian”.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë në prag të takimit se me rëndësi të madhe është që të formohet një qëndrim i përbashkët për zgjerim më të shpejtë të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe në të njëjtën kohë edhe qëndrimi për reforma që duhet t’i kryejnë këto vende për ta arritur këtë qëllim.

“Nëse do të kemi sukses në këtë drejtim do të jetë një arritje dhe një shpërblim për kurajon e këtij procesi, pasi shumica e liderëve nga rajoni para dhjetë vjetësh nuk kishin fare raporte dhe nuk bisedonin mes vete”, ka thënë, Pahor duke paralajmëruar se do të ketë biseda të hapura në këtë samit.

Ai ka shprehur bindjen se konkluzionet që do të miratohen do të jenë një hap i madh përpara në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

revista.one/