Gjystina, e betuara për virgjëri të përjetëshme, burrnesha e fundit
July 4, 2021Ajo quhet Gjystina Grishaj, por askush nuk e njeh me këtë emër.
55 vjeçarja ka hequr dorë nga gjinia e saj e u betua për virgjëri të përjetshme kur ishte 23 vjeç e vendosi të merrte të gjithë veçoritë që karakterizon një burrë në një kohë patriarkale kur gruaja trajtohej si pronë e burrit. E me dëshirën e saj ajo u kthye një burrneshë.
Ajo është burrnesha e vetme e mbetur në Malësi të Madhe dhe vazhdon beson te zgjedhja e saj.
As zemrën as mendjen nuk e ka sprovuar me ndjenjat e dashurisë për dikë të veçantë, por për të dashuria është më universale. Edhe pse familja për Dunin është më e rëndësishmja, ajo nuk preferoi ta krijojë vetë një familje të saj!
“Na vdiq babai, me la vajzë, nëna mbeti vetëm dhe fëmijët duhet të rriteshin, vendosa të bëhesha burrneshë”, është shprehur Gjystina Grishaj.
E megjithatë të vishej, të sillej dhe të jetonte si një burrë nuk ishte e lehtë. I duhej të bindte fillimisht veten dhe më pas të tjerët se do ja dilte të jetonte si një burrneshë, e të mbante mbi shpinë të gjitha hallet e shtëpisë.
Burrneshat (të njohura edhe si virgjëreshat e betuara) i përkasin një tradite që u krijua dhe u zhvillua përgjatë një periudhe disashekullore, por që vazhdon të jetë e pranishme edhe sot, kryesisht në disa zona periferike të veriut të Shqipërisë.
Arsyet e lindjes së kësaj tradite lidhen me një sërë faktorësh, në bazë të të cilëve qëndrojnë rregullat që organizonin dhe orientonin shoqërinë e dikurshme. Ndër këta faktorë, më themelorët lidheshin me nevojën që kishin familjet pa një trashëgimtar mashkull për të ruajtur pasurinë familjare, për të shmangur ndonjë konflikt me pasoja fatale, për shkak të kushteve të vështira të jetesës.
Pas kaq vitesh kur kohërat kanë ndryshuar dhe bashke me të mentaliteti i shoqërisë shqiptare, a është bërë pishman burrnesha e Lepushës për vendimin e marrë?
“Jo jo, kurrë nuk jam bërë pishman, kam qene e vendosur e ashtu vazhdoj te jem”, ka thënë Gjystina./ TCH