Flet vëllai i shoferit që humbi jetën në Kroaci: “Me këtë punë mbante familjen”. Ekspertët: S’mjaftojnë 2 drejtues autobusi

Flet vëllai i shoferit që humbi jetën në Kroaci: “Me këtë punë mbante familjen”. Ekspertët: S’mjaftojnë 2 drejtues autobusi

July 26, 2021 0

Dhjetë persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur të dielën, pas daljes nga rruga të një autobusi me targa të Kosovës, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci.

Vëllai i vogël i shoferit që ka humbur jetën në këtë aksident, Ilir Sylmetaj, thotë se rreth orës 8:30 janë njoftuar nga agjencia ku ka punuar së vëllai i tij, se ai nuk i ka mbijetuar aksidentit.

“Sot në mëngjes para orës 6:00 kemi kontaktuar me vëllai dhe na ka njoftuar se  kanë arritur shëndoshë e mirë në Austri”, ka treguar për RTV Dukagjinin, Ilir Sylmetaj.

“Gjatë ditës kemi bërë apel te mediat që të mos japin informacione të pasakta në lidhje me këtë tragjedi. Vëllai ka drejtuar maksimumi katër deri në gjashtë orë. Në momentin e aksidentit vëllai ka qenë në pushim [ndërkohë autobusi është drejtuar nga shoferi tjetër]. Agjencia na ka njoftuar se vëllai ka qenë në pushimore në momentin e aksidentit dhe për atë arsye ka mbetur i vdekur në vend”, ka deklaruar Ilir Sylmetaj.

Sylmetaj lutet që tragjedi të tilla të mos ketë më në të ardhmen.

Ai thotë se vëllai, Naser Sylmetaj, këtë punë e ka bërë prej një viti.

“Të vetmen punë e ka pasur këtë. Më këtë punë e ka mbajtur familjen”, ka deklaruar vëllai i tashmë të ndjerit Naser Sylmetaj.

Ndërkohë, zëvendës-Prokurori i Shtetit Komunal në Kroaci, Sllavko Pranjiq, ka thënë se është arrestuar shoferi i autobusit, që ka dalë nga rruga, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në Sllavonski Brod.

“Shoferi është arrestuar nën dyshimin për drejtim të automjetit në mënyrë jo të duhur. Shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat, ka thënë Pranjiq.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti thotë se aksidenti në Kroaci ka ndodhur në një kohë që është shumë e rrezikshme për vozitje, siç është ora 6:00.

Ai ka sqaruar legjislacionin aktual që ka Kosova, se sa orë mund të vozisë një shofer.

“Ligji për transportin rrugor flet shumë qartë. Një shofer ka të drejtë të ngasë automjetin për katër orë e gjysmë, pastaj 45 minuta duhet të ketë pushim, pastaj edhe katër orë e gjysmë tjera mund të vozisë e më pas duhet të ketë 9 orë pushim. Pra është një situatë ku nuk mund të kalojë dhjetë orëshin”, tha Ahmeti në RTV Dukagjini

Ahmeti thotë se 10-orëshi i drejtimit mund të tejkalohet vetëm dy herë brenda javës.

“Thënë ndryshe, brenda javës nuk lejohet më shumë se 50 orë ngasje të mjetit”.

Duke marrë parasysh rrugën midis Frankfurtit dhe Prishtinës, dhe vetëm dy shoferë, ky është një problem shumë i madh.

Kështu thotë eksperti kroat i komunikacionit, Goran Husinec pas aksidentit tragjik të autobusit që ndodhi në autostradën e Slavonski Brodit, duke shtuar se për një rrugë kaq të gjatë, dy shoferë janë pak.

“Secili shofer i autobusit mund të ngasë për 9 orë brenda 24 orëve, pas së cilës ka një pushim të detyrueshëm. Dhe kur bëhet fjalë për autobus, ai duhet të pushojë për 2 orë pas 21 orësh punë, por kjo nuk respektohet”, tha ai.

“Kjo rrugë zgjat rreth 25 orë, duke marrë parasysh qëndrimet në kufij. Dhe me turmat kur është sezoni, një udhëtim i tillë mund të zgjasë deri në 30 orë, kështu tani merreni me mend”, shton ai.

Ai tregon se si duhet të pushojnë shoferët gjatë këtyre rrugëve të gjata.

“Zgjidhja është e thjeshtë. Duhet të sigurosh banesa, ku shoferët do të ndërroheshin dhe ata që vozisnin duhet të pushonin”, tregon ai.

revista.one/