A mund ta shpëtojë botën nga pandemia “Spiderman-i” i sotëm?

A mund ta shpëtojë botën nga pandemia “Spiderman-i” i sotëm?

March 29, 2021 0

“Spiderman” titullohet ekspozita e artistit të njohur Ardian Isufi, që u çel për publikun në “Galeri 70”. Një ekspozitë e bukur dhe interesante, ku imazhi dhe instalacioni i kushtohen publikut. Artisti dhe pedagogu i arteve Ardian Isufi tregon se është një ndërhyrje artistike në vazhdën e punës së tij, që vjen në disa aspekte.

“Spiderman” nuk mund të shpëtojë botën nga frika apo pasiguria e të nesërmes!… Ky mit i realizmit kapitalist është “djali plangprishës” në utopinë e tij, nën kontrollin e sistemit dhe duket larg ëndrrës dhe dëshirës për të shpëtuar njerëzimin. Çdo përpjekje e tij tashmë është e survejuar, e kalkuluar, dhe jashtë çfarëdo lloj dëshire mitike për të na dhënë shpresë dhe guxim për të jetuar. Ai, (Spiderman), vjen në veprat e artistit Ardian Isufi në situata të ri-kontekstualizuara, në përplasje kohësh të ndryshme, ku jeta rurale dhe urbane duken si të mbajtura pezull nën peshën e këtij të “pavdekshmi të vdekshëm”; thuajse ai është njëri prej nesh në agoninë e jetës tonë. 

“Reagimi im është një reagim përtej elementit estetik, sepse mendoj që arti bashkëkohor sot duhet patjetër të flasë nëpërmjet veprës në mënyrë shumë direkte, por duhet të flasë dhe nëpërmjet atmosferës të cilës ndërton një artist”, tregon artisti. /revista.one/