“Bluz per alto Sax”, monodrama nga Shqipëria, “Shfaqja më e mirë” në Serbi

“Bluz per alto Sax”, monodrama nga Shqipëria, “Shfaqja më e mirë” në Serbi

August 13, 2021 0

Bluz per alto Sax, shfaqja e vënë me mjeshtëri nga regjisori Adonis Filipi dhe nën interpretimin e aktorit Xhuliano Brisku, një monodramë, është vlerësuar dje me çmimin shfaqja më e mirë teatrore muzikore në Nisville jazz Festival që mbahet në Serbi. Kjo shfaqe pritet të vijë për publikun shqiptar me fillimin e sezonit teatror.

“Bluz per Alto Sax” është një vepër e autorit Doru Motoc. Monodrama me regji nga Adonis Filipi u interpretua nga aktori Xhuliano Brisku, dhe u shfaq si një premierë e mbyllur më parë. Vepra ka në qendër një personazh aq kompleks, por dhe aq frymëzues. Bën fjalë për një saksofonist, i cili fati e ka dërguar në qeli të vuajë një dënim të përjetshëm për një vrasje aksidentale të shokut të tij, e cila i ka kushtuar atij lirinë fizike, por jo atë shpirtërore. I ndodhur në këtë situatë, ai përpiqet me çdo kusht të gjejë lirinë e brendshme brenda asaj hapësire të vogël, duke u frymëzuar dhe duke gjetur paqe shpirtërore dhe mentale nga dashuria dhe pasioni i tij për saksofonin. Çfarë është fati? A është fati zoti i gjithçkaje? Kjo është pyetja, që edhe sot shumë njerëz i mban peng.

Shfaqja është e ndërthurur midis muzikës dhe teatrit. Kjo vepër e autorit Doru Motoc sjell dashurinë për jetën dhe magjinë e të bukurës. Puna për të ka nisur në muajin e parë të karantinës. Dhe premiera e saj e parë ka qenë e mbyllur për shkak të kushteve anticovid. Shfaqja u xhirua në skenë e teatrit eksperimental dhe prej aty u bë pjesë e festivaleve.

Regjisori Adonis Filipi, me mjeshtëri arriti ta abdetojë shfaqen në një kohë rekord në një ambient jashtë të kalasë së  qytetit të Nishit.

Në këtë festival interpretuan 12 trupa nga shtete të ndryshme. Juria drejtohej nga Franco Ungaro, si dhe kritik te teatrit dhe skenës serbe.

revista.one/