Drama ‘Pasaporta’, Enver Petrovci: Pjesa i kushtohet njerëzve që pinë drogë

Drama ‘Pasaporta’, Enver Petrovci: Pjesa i kushtohet njerëzve që pinë drogë

November 2, 2022 0

Në skenë, dy aktorë, i dhanë jetë dramës së shkruar nga Enver Petrovci, aktor, regjisor e autor. 

“Më ftuan dhe erdha me kënaqësi ta shikoja! Jam ende i ri si dramaturg, ndonëse ndihem ende pak xheloz e dua që pjesët e mia t’i ruaj për vete. Unë do ta kisha vendosur ndryshe, por më duhet të pranoj se edhe të tjerët dinë, dhe pse e kam shkruar unë. Dhe me të vërtetë më pëlqeu! “, rrëfen Petrovci.

Regjia e Joana Omerajt, e solli ndryshe pjesën “Pasaporta” në sallën “Black Box” të “Arteve, për tre net radhazi, këtë fund tetori.  Dy protagonistët, të luajtuar nga Altea Alushi dhe Amri Hasanlliu, i lë të vetëm në skenë, ndërsa në rrëfimin e tyre ndjell edhe të tjera personazhe… Është një pjesë bashkëkohore, që temën e merr nga aktualiteti, dramaturgu rrëfen çfarë e ka ngacmuar për ta shkruar.

“Më erdhi një ish student, dhe më tha: “Profesor na keni lodhur me këto dramat serioze, patriotike, shkruani diçka për ne!” Po kush je ti i thashë? Ja, për ne që pimë drogë më tha… Dhe mu duk ide e mirë, dhe po atë ditë nisa të shkruaj dramën kushtuar njerëzve që pinë drogë! Inspirimi ishte ai, ish studenti im”, thotë më tej Petrovci.

Droga, lidhjet për interes material, dhe tentativa e autorit për t’i dhënë publikut një mesazh, për dashurinë e vërtetë i shtrohen publikut gradualisht. Takimi i shpirtrave, para trupave është thelbësore për artistin. Ndaj ai i vendos dy protagonistët përballë, e secili rrëfen historinë  e tij…

“Del në këtë pjesë realisht mendimi im për atë që është dashuria… Dhe kur kam arritur një moshë e kam kuptuar, se ne në të vërtetë nuk duhemi! Ne duam vetëm pronën tonë”, thotë artisti.

Dashuria është një rrugëtim, që bëhet përmes njohjes, ndërsa xhelozinë Petrovci e lë jashtë rrethit. Dhe këtë jo vetëm në dramë, por edhe jashtë saj.

“Ka një kohë që unë e kam kuptuar se unë me të vërtetë e dua gruan time, pavarësisht se ajo gjithmonë më ka akuzuar se nuk e dua. Më thotë: “Ti s’je xheloz aspak për mua!”… Por dashuria nuk është kjo, ndaj unë ja kam kthyer: Ti nuk më do mua, ti do burrin, ‘pronën’, por jo Enverin mua personalisht. E unë të dua ty personalisht dhe jo gruan time”, tregon artisti.

“Pasaporta” ishte një nga shfaqjet e vendosura në skenë nga Teatri Magjik, të drejtuar nga Eni Picalli.