Dua Lipa i dhuroi magji Tiranës në Ditën e Flamurit
November 29, 2022Dua Lipa ka qenë e ftuar speciale për të kënduar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë me rastin e Ditës së Flamurit. Këngëtarja i ka dhënë magji skenës me sharmin, elegancën dhe energjinë që ka përcjellë.
Ajo interpretoi disa nga hitet e saj të njohura, gjersa nisi koncertin me një fjalim: si përherë mirënjohëse dhe krenare për origjinën.
“Faleminderit shumë për krejt dashurinë, mbështetjen, energjinë që po na jepni sonte. Kjo është nata e fundit e turneut. Kjo është shfaqja e 94-të për neve. Dhe po e përfundoj sonte në Tiranë me juve”, u shpreh ajo.
“Faleminderit shumë që jeni këtu për neve, faleminderit për krejt”, tha më tej autorja e këngës “Don’t Start Now”.
E gjatë koncertit kishte momente të ndryshme e shumë të veçanta, si ai kur bëri shqiponjën me duar si dhe kur performoi e mbështjellë me flamurin kuq e zi.
Duke qenë se flitet vazhdimisht për paraqitjet dhe dukjet ekstravagante, Dua edhe në këtë event u shfaq unike me disa kostume.
Për hapjen e mbrëmjes zgjodhi një kostum të ngushtë shkëlqyes, e që shoqërohej nga valltarët të veshur zi – një kombinim i përsosur pikërisht për atë se për çfarë po festohej.
Tutje, Lipa ka rënë në sy me një kostum të bardhë po ashtu të ndritshëm, një fustan dypjesësh ngjyrë blu dhe në fund me kostumin e zi.
Megjithëse kjo ishte shfaqja e fundit e turneut në kuadër të albumit “Future Nostalgia”, Dua ndihej e mahnitshme që shoun e 94-të e bëri në Tiranë.
Pak orë para koncertit, ylli i “Argylle” mbajti një konferencë për media ku iu përgjigj të gjitha pyetjeve rreth karrierës, jetës personale e gjithashtu edhe projekteve të reja.
Bukuroshja theksoi që pas përfundimit të këtij koncerti do të rikthehet në Londër, e do të nisë punën për albumin e tretë.
revista.one/