Fero do të qëndrojë 1 muaj në paraburgim, Gjykata merr vendimin për reperin

Fero do të qëndrojë 1 muaj në paraburgim, Gjykata merr vendimin për reperin

July 27, 2022 0

Reperi Feronit Shabani, i njohur thjesht si Fero do të qëndrojë 1 muaj në paraburgim. Ky është vendimi i Gjykatës së Gjilanit.

Kjo sepse para disa ditësh ai sulmoi një person në makinë në qytetin e Gjilanit. Në rrjetet sociale u publikuan menjëherë pamjet e dhunshme dhe më pas policia ndërhyri duke arrestuar reperin.

Sot ai doli para Gjykatës Themelore të Gjilanit” që vendosi ta lejë pas hekurave. Përmes një njoftimi për mediat, Gjykata Themelore në Gjilan njoftoi se reperi do të qëndrojë në paraburgim me kohëzgjatje një muaj, mbi akuzën e ngritur ‘Sulmi’.

Njoftimi i plotë nga gjykata:

“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit F. Sh.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24.07.2022 rreth orës 17:00, në Rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, në rrugë dhe vend publik, i pandehuri pas një mosmarrëveshje të rastit me të dëmtuarin E. E. i cili ishte duke dëgjuar muzikë dhe ishte i ulur ne veturën VË Golf 6 ngjyrë e bardhë si pasagjerë të njëjtin e sulmon fizikisht i pandehuri F. Sh., duke e goditur me grushte dhe shkelma disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, deri sa ndërhynë persona të tjerë të pranishëm për ta larguar të pandehurin.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale sulmi, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme në këtë fazë të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit”. 

Avokati i Feros pretendoi se klienti i tij ishte provokuar. “Fero ka qenë duke pirë kafe në lagjen e tij, ka parë disa të rinj poshtë te kafenetë dhe kishte vendosur t’i qeraste, kur në një moment ka kaluar një veturë, e cila e ka provokuar atë, gjë që ka çuar deri në sulmin e tij”, tha Egzon Halimi në një intervistë për ‘Telegrafi.com’.

Ai shtoi se provokimi ishte bërë duke i vendosur Feros një këngë të Unikkatilit në të cilën ai shan publikisht Feron. “Personi brenda makinës ka qenë duke vendosur një këngë të Unikkatilit, në të cilën reperi Fero shahet dhe ofendohet rëndë dhe mu përmes së saj, ai e ka provokuar Feron, ku ky i fundit nuk e ka duruar presionin dhe ka nisur konfliktin në afekt. Personat që i ka sulmuar as ky nuk i njeh, pasi rasti ka ndodhur pa paramendim, pra nuk ka të bëjë me ndonjë hasmëri”, shtoi tutje avokati.

revista.one/