Gara me makina u merr jetën tre të rinjve, arrestohen dy shoferët

Gara me makina u merr jetën tre të rinjve, arrestohen dy shoferët

December 17, 2023 0

Kosova është tronditur sot nga një ngjarje e rëndë. Tre të rinj kanë humbur jetën në një aksident tragjik në afërsi të Prizrenit. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku të rinjtë po ndiqnin një garë me makina.

Sipas mediave të Kosovës, njëra nga makinat ka goditur disa persona të cilët po qëndronin pranë autostradës dhe ishin duke e ndjekur garën. Viktimat e këtij aksidenti janë: Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, të tre të moshës rreth 20 vjeç.

Mësohet se shoferi që ka përplasur kalimtarët është Arlind Syla, familjar i Lordit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku tre këmbësorë janë goditur për vdekje nga një shofer i cili ka humbur kontrollin mbi veturë.

“Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prziren, Admir Shala, është deklaruar shkurt për aksidentin në autostradë, ku tre persona vdiqën e tre të tjerë u lënduan.

Shala i ka thënë Gazetës Express se dy persona janë ndaluar në lidhje me rastin.

Dy nga viktimat Lordi dhe Molosi ishin edhe futbollistë. Ish-klubi i tyre, ”KF Gjakova” ka reaguar përmes një postimi në Facebook, të cilët kanë shprehur ngushëllime e tyre familjarëve të viktimave.

“Lajm i kobshëm për të gjithë ne sonte humbën jetën tragjikishtë dy ishë futbollistët tanë Molos Delija dhe Lordi Syla. Ne si kryesi klubit Gjakova dhe futbollistët e të gjitha grupmoshave shprehim ngushllimet më të sinqerta dy familjeve DELIA dhe SYLA për humbjen e dy më të dashurve të tyre. Qofshit banorë të Xhehnetit Molos dhe Lordi”, shkruhej në postim.

Për vdekjen e tyre kanë reaguar edhe familjarët e të ndjerëve.

revista.one/