“Homoseksualët ngacmojnë djemtë te Liqeni”, proteston LGBT për thirrjen e moderatorit: “Merrni armët dhe pastroni qytetin…”

“Homoseksualët ngacmojnë djemtë te Liqeni”, proteston LGBT për thirrjen e moderatorit: “Merrni armët dhe pastroni qytetin…”

November 4, 2021 0

Aleanca LGBTI+ dhe Pro LGBT kanë reaguar së fundmi lidhur me puntatën e mbrëmjes së kaluar të emisionit investigativ “Stop” ku u tregua se si zonën e Liqenit, persona me prirje homoseksuale u dalin para dhe ngacmojnë adoleshentët seksualisht.

Në këtë program u transmetua denoncimi i një studenti i cili kishte thënë se ishte ngacmuar nga persona me prirje homoseksuale, mirëpo mënyra se si u përcoll historia, nuk është pritur mirë nga Aleanca LGBTI+ dhe Pro LGBT.

Në një reagim për mediat të publikuar nga aktivistja për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI Xheni Karaj, moderatorët e emisionit Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj akuzohen se kanë kryer disa vepra penale, duke nxitur dhunë ndaj këtij komuniteti.

“Fjalitë cituara më sipër, pa asnjë ndryshim nga ato që u thanë në emisionin e djeshëm, janë thirrje të hapura për veprime të dhunshme dhe nxitje të urrejtjes nacionale që vendosin në rrezik paqen publike.”– thuhet në reagim.

Ndlrkohë, biznesmeni Elton Ilirjani ka reaguar ashpër ndaj gazetarit Saimir Kodra duke i bërë thirrje të gjithë aktivistëve të komunitetit LGBT në Shqipëri që të bojkotojnë çdo show apo bisedë derisa të kërkohet falje.

Ilirjani, i nxitur nga thirrja e gazetarit për “cunat” që të marrin armët për të pastruar qytetin, bëri një reagim në Instagram duke thënë:

“Në një televizion kombëtar shqiptar po bëhet thirrje që të marrin armët dhe të qëllojnë e të pastrojnë qytetin e Tiranës nga njerëzit e komunitetit LGBT.

Unë i bëj thirrje dhe i lutem të gjithë aktivistëve të komunitetit LGBT në Shqipëri: Bojkotoni çdo show apo bisedë në atë kanal televiziv përgjithmonë derisa të kërkojnë falje! Bojkotoni median shqiptare nëse bëjnë thirrje për vrasje dhe urrejtje. Ne nuk kemi nevojë të jemi në platformat e tyre kriminale!”

Ndër të tjera, Ilirjani tha se ka marrë vendimin që të mos vijë më kurrë në Shqipëri pasi e konsideron si vend të rrezikshëm për personat LGBT.

“Po mendoja këto ditë ta bëja këtë status: Unë kam vendosur përfundimisht të mos shkel më kurrë në territorin e Republikës së Shqipërisë! Shqipëria është vend i rrezikshëm për personat LGBT! Aq më tepër nga thirrjet e fundit fashiste të thëna nga gojët e pastor-imam-gazetar-gjobëvënës mediatikë!”, shkroi Ilirjani.

Teksa trajtonte rastin e ngacmimit seksual në rrugë, Kodra tha, “I bëj një thirrje shumë qytetare, këtyre çunave që herë pas here dhe rrihen a vriten me njëri tjetrin. Nuk mundemi dot vetëm një javë të vetme ta kemi javën për të pastruar Tironën? Edhe, dilni si sportista me biçikleta a me patina knej nga këto rrugët, dilni dhe sistemoni edhe kthehuni prap në jetën tuaj rutinë”. Ndërsa kolegu i tij vijoi duke thënë: “Është shumë vështirë me i dhën biçikletës me pistoletë në brez”. revista.one/