“Jesus Christ Superstar”! ‘Krishti i kryqëzuar’ flet shqip tek Arturbina

“Jesus Christ Superstar”! ‘Krishti i kryqëzuar’ flet shqip tek Arturbina

January 7, 2023 0

Në sallën e madhe të Arturbinës, mbrëmjen e së enjtes çelet sipari i shfaqjeve kulturore. Në përsiatjet e ndarjes së mitit, nga njeriu, fjala e Judës për “Hyjnorin, në mendjen e masës”, shënon fillimin e një prej muzikalit më të njohur në botë. Në Teatrin Kombëtar, Altin Basha sjell  për herë të parë “Jesus Christ Superstar”….

“ ‘Jesus Christ Superstar’ është një rrok opera mjaft e njohur në repertorin e muzikalëve botëror. Përveç kësaj vlere, ajo ka dhe mesazhe shumë të fuqishme që janë mesazhet e dashurisë dhe të paqes mes njerëzve. Kështu që në fundvit dhe në këtë fillimvit të ri, ky mesazh ka vendin e vet shumë të rëndësishëm, për qytetarët dhe shoqërinë”, thotë regjisori Altin Basha.

Në këtë opera rock të kompozuar nga Andreë Lloyd Webber me vargje të Tim Rice, solistët kryesorë janë aktorë, ndërsa pjesa vjen në anglisht.

“Aktorët janë përzgjedhur përmes audicioneve. Jam shumë i lumtur që arritëm t’i prezantojmë publikut një brez të rinj të rinjsh, të cilët shfaqin talentin e tyre jo vetëm në fushën e aktrimit por edhe në fushën e muzikës dhe të këngës. Kori është nga Universiteti i Arteve, ndërsa në rolet kryesorë që këndojnë , janë aktorët solistë dhe unë këtë e konsideroj një arritje qoftë për shkollën shqiptare të aktrimit, qoftë edhe për ata vetë. Janë suksese të rëndësishme të cilat jam i bindur që do të gjejnë rrugën e tyre, edhe në repertorë të tjerë në teatrot e ndryshme të Shqipërisë edhe të Tiranës”, shton më tej Basha. 

Pas debutimit, në Broduej, në ’71-shin, muzikali është shoqëruar edhe me debate religjioze.  Në 7 ditët e fundit të tij, Ervis Saliasi sjell figurën e Jezu Krishtit, me emocionet, frikërat brishtësinë e një njeriu… Ndërsa Maria Madalena, e interpretuar nga Egzona Ademi, shfaqet në skenë me këngën e saj në formë ninulle qetësuese për birin se “gjithçka do të shkojë mirë”, por edhe me dritëhije.

“Së pari debati është mbyllur në vitet ‘2000 kur kisha katolike e pranoi veprën si vlerë dhe në përputhje me rregullat e religjionit. Së dyti më shumë se sa debate, mendoj se vepra ka korrektesë qoftë nga pikëpamja religjioze, qoftë nga mesazhet që përcjell dhe këto eklipsojnë çdo detaj tjetër pakënaqësie që mund të ketë”, thotë regjisori.

Nga masat që adhurojnë, tek thirrjet për kryqëzim. Tundimet, frika e humbjes së autoritetit, nga mbivendosja e pushtetit të dhënë nga Zoti mbi atë të zgjedhur nga njeriu… Në skenën finale engjëjt i afrohen Jezu Krishtit, ndërsa Basha e lë të flasë shqip…

Mes të rinjve që interpretuan në këtë produksion të Ilirjana Bashës, ishin Amri Hasanlliu, Donald Shehu, Silvio Goskova, Xhuliano Brisku, Ilia Kaçi, Kristo Qerama,  Klint Çollaku etj., si dhe trupa e baletit me koreografe Sara Koçi. Tenori i ri që vuan verbërinë Diego Zelka, po ashtu ishte pjesë e kastit. Vocal coach ishte sopranoja Linda Kazani, orkestrues Jusiald Xhani dhe pianist Erald Simixhiu.

Në një qoshk të skenës, Suzana Turku dirigjon orkestrën:

Shfaqja është 100 për qind ‘live’ dhe orkestra po ashtu. Pavarësisht vështirësive që janë, është një pjesë që vendosen përballë në sytë e publikut, pa asnjë truk”, shpjegon regjisori.