Leonardo DiCaprio prapë për Vjosën: Tani një rrezik i ri, shpimet për naftë

Leonardo DiCaprio prapë për Vjosën: Tani një rrezik i ri, shpimet për naftë

May 7, 2021 0

Aktori Leonardo DiCaprio ka bërë sërish thirrje në Twitter, duke kërkuar shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar.

DiCaprio është shprehur se ky status ‘do ta mbrojë zonën jo vetem nga digat, por edhe nga një kërcënim i ri, si shpimet e naftës dhe gazit’. Aktori 46-vjeçar e shoqëroi postimin me një artikull të organizatës ‘Global Wildlife Conservation’. Shkrimi eshtë shkruar nga gazetarja Gege Li, një biokimiste. Ajo prej vitesh shkruan për natyrën në revista shkencore si ‘New Scientist’ apo ‘Chemistry World Magazine’. Në artikull përmenden protestat e vazhdueshme nga shoqëria civile. Po ashtu, angazhimet e aktivistëve mjedisor apo dhe komunitetit shkencor për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar.

Më herët aktori publikoi në llogarinë e tij në Instagram një foto nga lumi Vjosa. Dallohej parulla e shkruar me shkronja të mëdha pranë tij “Vjosa pa diga”.

Ndersa nje muaj më parë, aktori shpërndau një tjetër video. Në te shfaqen pamje nga Tirana dhe Berlini, ku aktivistë të ndryshëm kërkuan në Ditën Botërore të Ujit që Vjosa të kthehet në Park Kombëtar.

“Shpërndajeni këtë video dhe kërkojini Edi Ramës, Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës të bëjnë të njëjtën gjë”, shkroi aktori i famshëm në postimin e tij.

revista.one/