Naun Shundi hap teatrin privat me shfaqjen “Misto”

Naun Shundi hap teatrin privat me shfaqjen “Misto”

November 26, 2022 0

“ Zonja e Bujtinës”, me vendndodhje në zonën e Kinostudios, fare pranë Ministrisë së Kulturës, shfaq veprën “ Misto”, shkruar nga presidenti i këtij teatri privat, z. Naun Shundi. Kjo shfaqje vjen si rezultat i bashkëpunimit me Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në kuadër të përfshirjes së artistëve të rinj, në projekte konkrete artistiko- teatrore.

Një nisëm e mrekullueshme e drejtorit të këtij teatri, z. Altin Basha, i cili mundësoi edhe përfitimin e një fondi special nga Ministria e Kulturës, pikërisht për t’u dhënë mundësinë artistëve të rinj, për të shfaqur në këto shfaqje konceptet, platformat, idetë, vizionin, apo edhe forma të reja në fushat teatrore. Frytet shihen qartë në këto muaj, ku këta të rinj, po mbushin skenat me prurjet e tyre të suksesshme. “Misto”, do të shfaqet në teatrin “Zonja e Bujtinës”, në datat “26,27 Nëntor, si dhe 2,3,4 Dhjetor. Për ti lënë më pas stafetën një grupi tjetër të rinjsh, po nga ky bashkëpunim , me komedinë “ Nina”, me Regji të Marsel Rupi dhe aktorët Xhino Musollari, Marjus Dhrami, Dajana Nenaj, Denardo Neziri.

“Zonja e Bujtinës”, është një teatër ndryshe që spektatori vendas ka mundur të prekë deri më tani, për faktin e intimitetit, komunikimit me spektatorin, ngrohtësisë, si dhe atë çka vetëm ai ambient mund ti dhuroj artëdashësve të kësaj kategorie. Në raport me sallat e tjera teatrore, ky teatër ka një tjetër magji që ta afron sapo përballesh me të. Vendet e limituara (maksimumi 50 ulëse) është një nga treguesit për atë çka spektatori do të mund të prekë.

“Misto”, është një vepër e sjellë në një version krejt ndryshe nga ajo çka autori i veprës dhe njëherazi edhe regjisori i shfaqjes Naun Shundi, vuri në sallën e mrekullueshme të Teatrit Kombëtar, sot fatkeqësisht i shembur. Ky version i ri i “ Mistos”, do të mund të jetë një vërtetim që një vepër teatrore, mund të shikohet dhe trajtohet në disa këndvështrime. Nën regjinë e Franceska Hysi As; regjisor Jurgen Dervishi dhe interpretim e Ermir Jonka, Kleard Gërmenji Enisa Hysi. Duke inkurajuar nisma dhe projekte të tilla në vazhdim , i urojmë suksese këtij teatri privat dhe të gjitha shfaqjeve të repertorit të tij! Një teatër i ri që i shtohet qytetit, është një burg më pak, është një shkollë edukimi më tepër, është një gurë më tepër në kalanë e mrekullueshëm të artit shqiptar, është një tjetër vend i shenjtë.

revista.one/