Një “shqiponjë” në Teatrin e Romës, Marbjena Imeraj jep shfaqjen “Shqipëri-Itali vetëm vajtje” (Intervista)
May 13, 2021Nga Alba Kepi, Romë
Aktorja shqiptare Marbjena Imeraj ka debutuar me sukses në Teatrin “Lo Spazio” të Romës me shfaqjen e saj “Shqipëri-Itali vetëm vajtje”.
Një dialog me Zotin ku artisja shqiptare rrëfen historinë e jetës së saj nisur nga vendlindja Shkodër, në kohën e ngjarjeve dramatike të vitit 1997. Më tej me paragjykimet ndaj një femre të bukur emigrante nga lindja. Derisa më në fund ja doli të realizojë ëndërrën e saj të jetë aktore.
Nga një emigrante plot preokupime e vështirësi që i sjell e përditshmja, Marbjena shndërrohet në skenë në një shqiponjë kurajoze, e vërtetë, që zbraz zemrën duke kënduar këngë shqiptare e recituar vargje të Kuranit.
Tekstin e ka shkuar vetë Marbjena nën regjinë e Melania Giglio. Një grup artistësh i përbërë vetëm nga femra, që sjellin para publikut italian figurën e vajzës, gruas, bijës, nënës, mikes, emigrantes e së dashurës në luftë me steriotipet e imponuar nga shoqëria.
Alba Kepi- Marbjena vënë është përballë Marbjenës në këtë shfaqje me titull “Shqipëri – Itali vetëm vajtje”. Cila është veçantia që po sjell në skenë?
Marbjena Imeraj- Kam vënë përballë Marbjenën grua e Marbjenën aktore. Kam hapur zemrën duke treguar vetëveten e të them se të jesh i varfër nuk do të thotë të jesh inferior ndaj të tjerëve. Nuk është pasuria që vlerëson njeriun e me këtë histori timen dua të ndihmoj dhe të tjerët që janë ndjerë të tillë gjatë emigrimit në një vend tjetër. Kam rrëfyer dhe paragjykimet që kam jetuar në Itali si një femër që vjen nga Europa Lindore e që shihej si “jo serioze”. Është një rrëfim kundër të gjitha paragjykimeve që kushtëzojnë jetën.
Alba Kepi- Mjaft kurioz është titulli “Shqipëri-Itali vetëm vajtje”. Pse vetëm vajtje?
Marbjena Imeraj- Sidomos vitet e fundit unë ndjej shumë se kur ikën nga toka jote nga vendlindja, e merr me vete në zemër, por ti nuk je më si parë. Unë jam shqiptare por emigrimi më ka ndryshuar e Italia më ka dhënë shumë. Por nuk jam ajo Marbjena e dikurshme, prandaj e kam quajtur vetëm vajtje.
Alba Kepi- Ky rrëfim teatral përmban të gjithë historinë shqiptare të emigrimit, vështirësië ekonomike, luftën e ’97, emigrimin klandestin, historinë e një mikeje të rrëmbyer për t’u bërë prostitutë, lidhjet familjare etj. Cila është e veçanta që ti ke sjellë?
Marbjena Imeraj- Historia nuk është e veçantë për të gjithë ne shqiptarët. Veçantia perceptohet kur e rrëfen tek publiku italian, por mes ne shqiptarësh e kemi dëgjuar shpesh herë se një vajzë, një mike, një e afërt është rrëmbyer dhe e kanë nis në Itali. E veçanta është se kam vendosur ta sjell historinë siç është, e ta interpretoj në këtë skenë romane pa asnjë perde e me gjithë emocionet personale të jetuara.
Alba Kepi- A ishte kjo një ëndërr që të interpretoje vetëveten?
Marbjena Imeraj- Thellë në zemër e kam dashtë por nuk e kisha menduar se do ja arrija të isha kaq e fortë e ta sillja në skenë. Nuk është e lehtë e është krejt ndryshe nga rasti kur tì interpreton një personazh që e ka shkruar dikush tjetër.
Alba Kepi- E pas këtij roli, çfarë do të presim nga Marbjena?
Marbjena Imeraj- Dëshiroj që këtë spektakël ta kthej në film. Ndërkohë po punoj për një tjetër tekst teatral që më duhen pak muaj ta përfundoj e ta sjell në skenë. Ëndërr e imja është dhe ta interpretoj shqip e në një skenë shqiptare si në Tiranë e Shkodër, qyteti im.
Alba Kepi – Ti je dhe aktorja e parë shqiptare e cila ka bërë coming out e në këtë moment të rëndësishëm për Italinë siç është aprovimi i ligjit kundër homofobisë.
Marbjena Imeraj- Mendoj se Shqipëria ka nevojë për një ligj të tillë. Shqiptarët janë mëndjehapur por mungon mbrojtja kushtetuese. Por duhet që dhe personazhet publike që kanë orientime seksuale të ndryshme, ta deklarojnë publikisht për të përcjellë një mesazh kundër frikës e fshehjes.
Alba Kepi- Është shfaqja e parë pas mbi 15 muaj lockdown. A të ka munguar teatri?
Marbjena Imeraj- Unë kam 2 vite që nuk jam ngjitur në skenë. Më ka munguar shumë e ndjehem e emocionuar, e gëzuar, kam frikë por jam e kënaqur. Më në fund përballë publikut.
/RTVora/