Performancë krah Beyonce e Ricky Martin/ Kush është violinçelistja shqiptare që u takua me Joe Biden

Performancë krah Beyonce e Ricky Martin/ Kush është violinçelistja shqiptare që u takua me Joe Biden

April 14, 2022 0

Gjilberta Lucaj është violinçelistja shqiptare  me famë ndërkombëtare. Artistja njihet tashmë për artin e saj në shumë vende të botës jo vetëm në Amerikë ku ajo jeton prej më shumë se dy dekadash por edhe në Meksikë, Kinë, Korenë e Jugut, Afganistan dhe në të gjithë Evropën. Ishte vetëm 13 vjeç kur performoi si violinçeliste solo në Vatikan për Papa Gjonpali II.

Gjilberta performoi edhe gjatë betimit të presidentit aktual të ShBA-së Joe Biden, në krahë të këngëtarëve  të famshëm si Beyonce, Ricky Martin, Coldplay, Thalia, Alisia Keys, Il divo dhe Jay-Z.

E ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV Ora, artistja rrëfeu situatën emocionuese me adhuruesit e artit të saj.

“Jam e zënë me koncerte dhe performanca këto kohë. Kam ardhur në SHBA me një bursë për të vazhduar shkollën për violinçele. Kam ardhur me familjen dhe tani e kam ndërtuar jetën këtu në SHBA. Thonë që është e vështirë jeta këtu, por kudo është vështirë. Rëndësi ka të kemi pasione dhe ëndrra dhe t’i plotësojmë ato.

Gjithkush që vjen në Amerikë kupton se këtu gjithçka shkrihet për artin.

“If you make it here, you make it everywhere” thotë një shprehje. Këtu është toka e mundësive, varet vetëm nga pasioni që ke.

Njerëzit që nuk dorëzohen, arrijnë lart, arrijnë të realizojnë ëndrrat.

Ne frymëzohemi nga ëndrrat, kemi të tilla por duhet t’i kërkojmë, t’i arrijmë. Në vitin 2004 isha në kolegj nisa të bëja konkurse këtu. Mu dha mundësia të perfomroj në vendin më të famshëm në botë, të jepja një koncert solo. Aty, ata që erdhën në koncert donin të më njihnin, të shijonin performancat nga unë.

Dikush që do bënte një sfilatë mode në New York, më kërkoi të performoja në sfilatën e tij. Kam shkuar në Evropë, Korenë e Jugut, madje dhe në Afganistan për të performuar.

Kur njerëzit qëndronin pas performancës për të folur me mua ishte kënaqësi e jashtëzakonshme, një frymëzim  se po bëj gjënë e duhur.

Në Kinë, Shangai, po performoja, ishte një djalë, ishte dhjetor, ftohtë. Ai po mbante radhë, kur kthehem pas 3 orësh, e gjej sërish aty, ishte shumë ftohtë. Iu afrova dhe e pyeta pse po pret, aim ë tha se po priste një violinçeliste, ai ishte violinçelist.

Ai më tha se nuk kishte mundësi ta ndiqte shfaqjen për shkak se bileta ishte e shtrenjtë. Por më tha se do të qëndronte edhe më shumë, për të parë violinçelisten, në këtë rast mua. E morëm të gjithë familjen e tij dhe i dhamë bileta.

Kam dhënë koncerte në 14 qytete në Kinë”, tha artistja.

Artistja rrëfeu edhe emocionet e performancës në betimin e presidentit amerikan Joe Biden. “Nuk ka emocione ndryshe, sepse ti merr emocione më të mëdha me njerëz normal. Ishte emocionues fakti që kishte shumë sigurim, shumë rregull. Ishte kënaqësi normale, sepse është president i SHBA-së. Biden erdhi dhe më foli, bëmë foto, më tha se jam shumë simpatike. Nuk ishim shumë persona. Violinçeli më ka dhënë jetë, kisha dhe dëshira të tjera, por më e madhja kishte të vazhdoja violinçel”.- tha ajo.