Punon në minierë, pasdite bën fushatë për t’u zgjdhur deputet

Punon në minierë, pasdite bën fushatë për t’u zgjdhur deputet

March 6, 2021 0

Elton Debreshi punon si minator në minierën e Bulqizës deri në orën 14:00 për të siguruar të ardhura për familjen e tij, porn ë zgjedhjet e 25 prillit do të kërkojë votën e bashkëqytetarëve për t’u zgjedhur deputet.

Në një intervistë për Euronews Albania ai ka treguar më shumë për jetën e tij.

Si i lindi ideja për të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 prillit?

“Unë e kam marrë këtë iniciativë, duke qenë se nga partitë jemi zhgënjyer gjithë këto vite dhe nuk kemi besim në asnjë parti, qoftë e majtë apo e djathtë. Duke parë që ato thjesht na kanë përdorur për fushatë, që nga statusi i minatorit e deri tek problemet e qytetit na kanë çuar në pikën që sot Bulqiza po vdes dhe askush nuk po e ngre zërin për të”, thotë Elton Debreshi, kandidat i pavarur për deputet.

Fushata e tij është ndryshe nga ajo e kandidatëve të tjerë, pasi Eltoni zgjohet çdo mëngjes dhe në vend që të takohet me qytetarët, shkon të punojë në minierë. Ai pretendon se pikën e fortë e ka në faktin që jeton në qytet dhe është i barabartë, qoftë me bashkëqytetarët, por edhe me kolegët në minierë. Eltoni hprehet se ka ardhur koha që dibranët të ndahen një herë e mirë nga votimi me bazë bindjet partiake, pasi sipas tij të gjitha partitë për gjendjen e mjerueshme ku ka përfunduar Bulqiza.

“Nuk mund të na qajë hallet dikush që vjen nga jashtë më mirë se sa ai që është bir i këtij vendi. Nuk mund të vijë dikush nga karrigia dhe ta dijë hallin më mirë se unë që po jetoj përditë në galeri. Populli duhet t’i vërë gishtin kokës dhe nuk duhet ta hedhë votën siç e ka hedhur në këto 30 vite”, thotë ai.

Edhe pse e ka plotësuar të gjitha dokumentacionin e nevojshëm për të kandiduar në KQZ, Elton Debreshi thotë së nëse plotësohet statusi i minatorit, ai do të hiqte dorë nga kjo garë dhe do të vazhdonte punën si minator.

“Statusi i minatorit është pika kyçe. Sa i përket peshës së deputetit, nëse dikush zotohet se do të miratojë statusin e minatorit dhe të kthej vëmendjen nga problematikat e familjeve të minatorëve që kanë humbur jetën në galeri, unë jap dorëheqjen direkt”, thotë Eltoni.

Elton Debreshi pritet të ketë emrin e tij si kandidat i pavarur për deputet në listën e Dibrës, pasi ka depozituar në KQZ firmat mbështetëse të 5% të qytetarëve të këtij qarku.