Qëlluan 9 herë me pistoletë dhe u larguan nga deti/ Detaje të reja nga sulmi ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë
July 18, 2026Zbardhen detaje të reja nga atentati i ndodhur në Sarandë, ku mbeti i plagosur rëndë 50-vjeçari Thimjo Rubati. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ndaj tij janë qëlluar nëntë plumba me një armë zjarri pistoletë të kalibrit 9 mm, ndërsa ndodhej pranë biznesit të tij.
Hetimet paraprake tregojnë se autorët, pas ekzekutimit të sulmit, nuk u larguan menjëherë nga zona. Ata kanë ndjekur të njëjtin itinerar nga kishin ardhur, duke u kthyer mbrapsht përgjatë rrugës së përdorur për t’iu afruar objektivit.
Dyshohet se më pas ata janë drejtuar drejt zonës bregdetare në Baba Rexhep, ku hetuesit po verifikojnë mundësinë që të kenë hipur në një skaf për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas atentatit, Rubati u dërgua fillimisht në spitalin e Sarandës, ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe iu kryen transfuzione gjaku. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai u transportua më pas drejt spitalit të Janinës në Greqi për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Mes pistave që po shqyrtohen është edhe mundësia e një lidhjeje mes këtij atentati dhe plagosjes së oficerit të policisë Mihal Velço, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.
revista.one/


