Vjedhja 700 milionëshe/ Paratë e Postës Shqiptare në kazino, Prokuroria akuzon drejtoreshën
July 18, 2026Detaje të reja kanë dalë nga hetimi për skemën e dyshuar të përvetësimit të fondeve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare janë arrestuar nën akuzën se kanë abuzuar me rreth 69 milionë lekë të rinj, para të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale
Gjatë seancës gjyqësore, ku u shqyrtua masa e sigurisë, prokurori ka sjellë edhe detaje të tjera nga hetimi, duke përmendur edhe frekuentimin e kazinove nga drejtoresha e filialit.
Elisabeta Mataj ka pranuar fjalën e mbrojtjes dhe nuk ka mohuar se ka frekuentuar kazino, por është shprehur se nuk ka pasur asnjë ndalim ligjor apo kontraktor që ta pengonte të shkonte në ambiente të tilla.
“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, mësohet të jetë shprehur Mataj para gjykatës.
Ajo ka mohuar se i është shmangur drejtësisë, duke deklaruar se kishte planifikuar të udhëtonte jashtë vendit më 10 korrik, ndërsa në datat 13 dhe 14 korrik ka qenë në punë.
E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar paratë që dyshohet se janë përvetësuar, Elisabeta Mataj është përgjigjur se nuk e di.
Hetimet pritet të zbardhin mënyrën se si është realizuar skema, rolin e secilës prej të arrestuarave dhe destinacionin e shumës prej 69 milionë lekësh te reja, e cila ishte parashikuar për pagesat sociale ndaj qytetarëve.
Gjatë seancës gjyqësore, ku Prokuroria e Durrësit ka kërkuar “arrest me burg” për tre të arrestuarat, ndërsa mbrojtja ka kërkuar masë më të butë, “detyrim paraqitjeje”, kanë dalë edhe deklarata të reja nga të pandehurat.
Shefja e financës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Valbona Hoti Duni, mësohet se ka deklaruar para gjykatës se paratë e vjedhura nuk i ka mbajtur ajo, por i ka marrë drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, në zyrën e saj.
Ndërkohë, drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, gjatë përballjes me gjykatën, nuk ka dhënë një shpjegim se ku kanë përfunduar paratë. E pyetur nga gjykata për destinacionin e shumës prej 69 milionë lekësh, Mataj është përgjigjur se nuk e di.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, tre zyrtaret dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026 nuk kanë arkëtuar në degët Shijak dhe Krujë shumën prej 69 milionë lekësh të rinj.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën, përfshirjen e mundshme të personave të tjerë dhe destinacionin përfundimtar të shumës së konsiderueshme financiare.
Gjykata vendosi “arrest në burg” për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa caktoi masën “arrest në shtëpi” për ish-shefen e financës, Valbona Duni, dhe ish-arkëtaren Paola Dana.
Tre zyrtaret akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve, gjatë muajve prill dhe maj 2026 ato dyshohet se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj.
VENDIMI I PLOTË
Vendosi:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
2. Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personave nën hetim E. M., V. D. dhe P. D.
3. Caktimin ndaj personit nën hetim E. M masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
4. Caktimin ndaj personit nën hetim V. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
5. Caktimin ndaj personit nën hetim P. D. masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 135 dhe 25 i K.Penal.
6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personave nën hetim V.D. dhe P. D.nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahen të paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.
7. Urdhërohet personi nën hetim V. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen Ilira, Plazh, Durrës.
8. Urdhërohet personi nën hetim P. D. të qëndroi dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.13, Durrës.
9. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
10. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.
U shpall në Durrës, me datë 18.07.2026
revista.one/


