Reperi shqiptar reagon për vrasjen e Aleksandër Sadikajt
June 13, 2022Reperi shqiptar Klejdi Dogjani, i njohur me emrin e artit si Finem, ka reaguar në lidhje me vrasjen e shokut të tij Aleksandër Sadikajt.
Në një postim në profilin e tij në Instagram, Finem ka publikuar një foto të 27-vjeçarit, i cili u ekzekutua mesditën e të shtunës në Tiranë. Krahas fotos reperi shkruan: “U prehsh në paqe vëlla”.
I njohur ndryshe si “Aleksi i Memaliajt”, i riu ishte pronar i resortit “Sancho Farm Albania”, ku Finem dhe Solo kanë xhiruar njërin prej videoklipeve të këngëve të tyre.
27-vjeçari publikonte shpesh video dhe foto nga përditshmëria e tij në faqen e biznesit të këtij resorti. Nga postimet, duket se i riu është i apasionuar pas kuajve, një shërbim që ofrohet dhe nga resorti. Në faqen e Instagramit të tij ka gjithashtu postime nën shoqërinë e dy reperëve nga Tirana, Finem dhe Solo.
Kujtojmë se Aleksandër Sadikaj u vra në një shpërthim të fuqishëm, pasi në automjetin që ai udhëtonte u vendos 500 gram C4. Mësohet se lënda plasëse ishte vendosur në anën e shoferit. Fillimisht ai mbeti i plagosur dhe doli vetë nga automjeti. Por pasi u transportua në spital, ndërroi jetë.