Shkrimtarja Lea Ypi për DW: Nuk mund të jetë i lirë një i papunë

Shkrimtarja Lea Ypi për DW: Nuk mund të jetë i lirë një i papunë

June 15, 2022 0

Filozofja e shkrimtarja shqiptaro-britanike, Lea Ypi për DW mbi lirinë në shoqëri, mungesën e besimit të shqiptarëve tek vetja, mbi pajtimin kombëtar pas të shkuarës diktatoriale dhe zbulimin e një vajze të vogël.

Deutsche Welle: Ju e keni titulluar librin “Të lirë” – të rritesh në fund të historisë – A janë vërtet shqiptarët sot të lirë dhe “të rritur”, se në fund të historisë – këtë nuk mund ta thuash më sot pas luftës në Ukrainë…

Lea Ypi: Shqiptarët kanë kaluar nga një fazë kur problemet e Shqipërisë ishin vetëm problemet e Shqipërisë në një fazë kur problemet e Shqipërisë reflektojnë edhe problemet e botës. Pra krizat që janë kriza globale ndjehen edhe në Shqipëri, ndoshta veçanërisht në Shqipëri, e vende të tjera me histori të ngjashme, ku procesi i ndërtimit të shtetit është ende i papërfunduar. Mendoj që liria mbetet ideal kudo në botë. Ne kemi kaluar nga forma shtypjeje të drejtpërdrejta nga partia, nga shteti, nga kulti i individit, në forma shtypjeje anonime, nga tregjet, nga globalizimi, nga kriza, për të cilat është shumë e vështirë të përcaktosh përgjegjësi individuale, por që gjithsesi i kufizojnë liritë e të gjithëve. Premtimi i një shoqërie të lirë tingëllon disi i zbrazët, nëse nuk përmbushet për të gjithë. Nuk mund të jetë i lirë dikush që është i papunë.

Pse ishte e rëndësishme për ju të shkruanit një libër autobiografik-filozofik, një “nonfiction”?

Ishte një lloj autobiografie intelektuale dhe një mënyrë për të kuptuar më mirë nga vija unë si profil filozofik. Libri filloi me një përpjekje për të analizuar idetë e lirisë në traditat liberale dhe socialiste të mendimit politik dhe gradualisht u kthye në rrëfim autobiografik. Për mua ishte interesant zbulimi pothuajse psikoanalitik se çdo gjë që unë besoja nga ana filozofike i kishte rrënjët në përvojat e një vajze të vogël të rritur në Shqipërinë e viteve 80-90-të, që nisi të zgjohej dalëngadalë në faqet e librit.

Ajo vajzë e vogël është maturuar, por a ka arritur në fund të zbulimit?

Kërkimi i vetvetes është një proces që nuk besoj se njeriu arrin ta përmbyllë asnjëherë, ai na shoqëron në çdo fazë të jetës. Ne ballafaqohemi vazhdimisht me të shkuarën, por nga ana tjetër edhe perceptimi i të shkuarës ndryshon në varësi të eksperiencave që bëjmë në të tashmen dhe mënyrës si e shohim veten në të ardhmen.

Një përmbysje e tillë kaq e madhe pas rrëzimit të diktaturës sjell me vete edhe një krizë identiteti. Sa e vështirë është sot gjetja e identitetit për ata që u rritën në komunizëm, për një brez që ishte në moshë të re, e ku të gjitha përfytyrimet, jo vetëm ato për lirinë për lirinë u shkërmoqën brenda natës?

Për brezin tonë ka qenë veçanërisht e vështirë për arsye se ai është bërë mbartës i të gjitha idealeve që prindërit e tyre nuk i realizuan dot, por duke përjetuar në të njëjtën kohë edhe zhgënjimet tona specifike. Fëmijët që janë rritur „në fund të historisë” kanë vetëm kujtime fëmijërie nga periudha komuniste dhe fëmijëria është një fazë e jetës që shihet gjithnjë me një lloj nostalgjie, sidomos nëse fëmijët janë rritur në një mjedis familjar të rrethuar me dashuri. Për brezin tonë realiteti tragjik i Shqipërisë në periudhën komuniste ka qenë i filtruar nga prindërit dhe zbulimi i të vërtetës ka ardhur jo si pasojë e rrugëtimit individual por si pasojë e çarjes historike të shkaktuar nga ndryshimi i sistemit. Për këtë arsye ky brez ka patur një përballim me të tashmen që ishte shumë i ngarkuar nga përvojat e prindërve dhe sidomos nga fakti që të gjitha pamundësitë, të gjitha pengesat, gjithë shtypja e brezit të prindërve të gjyshërve u bë barrë dhe përgjegjësi për brezin e ri që të realizonte atë që paraardhësit nuk e kishin realizuar dot. Kjo sigurisht ishte një mundësi e jashtëzakonshme, por edhe një peshë e padiskutueshme.

Lea, libri juaj është pritur me entuziazëm jashtë, në Shqipëri ka pasur edhe kritika duke e konsideruar librin si një falje për komunizmin – mendoni se ka qenë një keqkuptim?

Njerëz të ndryshëm kanë pasur kritika të ndryshme, por nuk besoj se mund t’i quajmë të gjitha keqkuptime. Shumë kritika burojnë nga bindje të ndryshme filozofike, metodologjike ose nga një analizë e historisë në këndvështrim tjetër. Në përgjithësi kritikat e publikut shqiptar janë përqëndruar sidomos tek pjesa e parë e librit, që në fakt përbën më pak se gjysmën e tij ndërkohë që tematika kryesore që ai trajton është ajo e tranzicionit, konceptimit të lirisë dhe dallimit të saj nga propaganda apo ideologjia. Nuk besoj se libri ka ndonjë qasje shfajësuese ndaj komunizmit në Shqipëri, ai është kritik si ndaj periudhës socialiste, ashtu edhe ndaj periudhës që e ka pasuar atë. Disa nga kritikat në Shqipëri janë të kuptueshme, pasi një libër që bën shumë jehonë në botë, duket sikur rrezikon të bëhet përfaqësues i një populli të tërë, por në fakt asnjë libër nuk mund ta përfaqësojë një popull. Çdo autor ka eksperiencat e tij dhe çdo eksperiencë përcillet në mënyrë të ndryshme. Me siguri po të kishte më shumë autorë, më shumë letërsi shqiptare të përkthyer, dhe sikur historia e vendit tonë të njihej më mirë jashtë tij atëherë barra e përfaqësimit nuk do të binte thjesht mbi një apo dy autorë dhe kritikat do të merrnin formë tjetër. /DW