Sulmi në Xhaminë e Rrugës së Kavajës, u plagosën 5 veta; Imam Kalaja: Ata po faleshin

Sulmi në Xhaminë e Rrugës së Kavajës, u plagosën 5 veta; Imam Kalaja: Ata po faleshin

April 19, 2021 0

Hyn në xhaminë e Rrugës së Kavajës dhe sulmon me thikë 5 persona. Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas.

Personi që ka kryer sulmin në xhami është identifikuar si Rudolf Nikolli. Ai është neutralizuar dhe arrestuar nga policia. Po ashtu, i është sekuestruar dhe arma e ftohtë, thika..

5 personat e plagosur janë: D. K., rreth 35 vjeç, S. P., rreth 22 vjeç, M. K., rreth 24 vjeç, K. J., rreth 26 vjeç dhe A. T., rreth 23 vjeç. Ata ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami). Në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas.

Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë është bërë neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar. Ai është shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli. Më pas u shoqërua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar. Ata janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën

Në vendin e ngjarjes po vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të krimit.

Ishte i kërkuar nga policia

Prej 11 marsit 2021 Rudolf Nikolla ka qenë në kërkim policor, për një ngjarje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur në 11 mars 2021 në zonën e parkut të autobuzëve.

Autori që plagosi 5 persona ditën e sotme në xhaminë te rruga e Kavajës, Rudolf Nikolla, nga Mati, ka plagosur me thikë dhe Robert Kurtin, 32 vjeç në mars të këtij viti.

“Urojmë të mos ketë qenë terrorist”

Imami Ahmed Kalaja, ka folur në lidhje me ngjarjen që ndodhi mesditën e sotme në xhaminë “Dine Hoxha” te rruga e Kavajës, ku një person ka plagosur 5 të tjerë.

Në një video që ka bërë në rrjetet sociale Kalaja, thotë se ka plagosur disa vëllezër dhe besimtarë të cilët po adhuronin Zotit.

“Sot ka ndodhur një akt barbarie në xhaminë. Një njeri ka goditur besimtarët brenda xhamisë, por dhe njerëzit që ishin në rrugë. Faleminderit Zotit që personi është arrestuar. Situata është nën kontroll. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Urojmë shërimin e vëllezërve tanë që janë plagosur.

Shpresojmë që mos të ketë qenë ndonjë akt terrorist. Mbase ka qenë ndonjë njeri me meta mendore që e ka bërë një gjë të tillë”

Shpresojmë që për punë orësh, xhamia të kthehet në gjendje të mëparshme. Janë plagosur disa vëllezër, por edhe disa besimtar që kanë qenë duke adhuruar Zotin. Situata është nën kontroll. Faleminderit policisë që erdhi në kohë, dhe lusim Zotin që personi në fjalë të marrë atë që meriton. Zoti i madh i largoftë nga njerëz që janë me probleme.“ /revista.one/