(VIDEO) Atentati ndaj kushëririt të “Kumbarit” në Shkodër, e qëlluan me pistoletë dhe u larguan me motor

(VIDEO) Atentati ndaj kushëririt të “Kumbarit” në Shkodër, e qëlluan me pistoletë dhe u larguan me motor

April 30, 2022 0

Atentat ndaj Dedë Pllanajt, djalit të xhaxhait të Bardhok Pllanajt, i ekzekutuar një vit më parë në Shkodër.

Pllanaj ka rënë pre e një atentati në hyrje të rrugës Shkodër-Koplik, pas rotondos së Dobraçit, në një pikë karburanti ku punonte si roje.

Autorët kane qenë me motorë ndërsa kane qëlluar me pistoletë dhe janë larguar. Burime bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja plumbash.

60-vjeçari Pllanaj është transportuar drejt spitalit të Shkodrës, ku po merr dhe kujdesin e nevojshëm mjekësor. Ndërkohë që policia bën me dije se ka ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Shkodrës për kapjen e autorëve.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 22:10, në lagjen “Dobraç”  Shkodër, në rrethana ende të paqarta,  është plagosur me armë zjarri shtetasi D.P. 60 vjeç banues në fshatin Shtoj i Vjetër,  i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër nën kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje – dalje të qytetit  dhe vijon krehja e zonës me qëllim  kapjen e autorit/ve.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon  për  identifikimin e autorit/ve  zbardhjen dhe sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Kush ishte Bardhok Pllanaj

Bardhok Plani njihej me nofkën “Kumbari” dhe ishte dënuar me burgim në mungesë në vitin 2014 nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tri vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”. Asokohe, Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10- katësh në pronësi të tij, që kapte vlerën e 2 milionë eurove.

Gjithashtu Bardhok Plani, ishte i skeduar nga Policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, në operacionin e quajtur “Laguna e Vilunit” të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit.

Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve u identifikua asokohe si shtetas italian. Koka e trafikut u dyshua pikërisht biznesmeni Bardhok Plani. Gjatë aksionit të Policisë, Plani arriti t’i shpëtonte arrestimit dhe dyshohet u fsheh në automjetin e ishdeputetit Mark Frroku. revista.one/