Vrasja në Fier e Shkëlzen Kastratit, arrestohet i dyshuari si vrasës me pagesë

Vrasja në Fier e Shkëlzen Kastratit, arrestohet i dyshuari si vrasës me pagesë

March 21, 2021 0

Arrestohet në fshatin Larushk të Fushë-Krujës Albert Zaja, autori i dyshuar për ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit në Fier më 1 shkurt, brenda makinës së tij.

Në momentin që është arrestuar, Zaja ka pasur një pistoletë me vete, e cila i është sekuestruar. Sipas policisë 37-vjeçari porsa ka parë se është rrethuar nga RENEA ka tentuar të fshehë në baltë armën dhe ka tentuar të largohet.

Të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij në këtë vrasje janë Elmir Tufa, 29 vjeç, Elson Xhecuka, 27 vjeç, dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, të cilët janë ende në kërkim nga policia. 4 të rinjtë, mësohet se janë një grup vrasësish me pagesë, të cilët e kanë ndjekur viktimën për afro 2 muaj në lëvizjet e tij, deri në ekzekutimin final.

Ndaj 4 personave, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për  veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim.

Si ndodhi ngjarja?

Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me dy plumba, njërin prej tyre në kokë, paraditen e 1 shkurtit, në fshatin Sheq në Fier brenda makinës së tij. Ai ka qenë në lëvizje me makinë, është qëlluar nga një person nga një makinë tip ‘Range Rover’. Kastrati ka ecur disa metra duke u përplasur me një makinë tjetër që po kalonte aty.Të gjitha hetimet janë përqendruar tek hakmarrja, për shkak të së kaluarës së tij dhe të vëllait.

Pse grupi hetimor ka dyshime për një hakmarrje? 5 vite më parë është tentuar të vritet në atentat Klemend Kastrati, vëllai i Shkëlzenit. Nga ajo ngjarje humbi jetën Denis Kasaj nga Vlora, kurse Klemendi u plagos. Eliminimi i tij ishte për hakmarrje pasi nga hetimet e kryera në atë kohë ka rezultuar se Klemend Kastrati ishte i implikuar në një plagosje të vitit 2008, për shkak të një sherri makinash, por ai u dyshua dhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2012. Shkëlzen Kastrati u ekzekutua kohën kur po shkonte në lokalin e tij në Sheq, lëvizje që e kryente çdo ditë.

/revista,one/