E fshiu nga fotoja me Kadarenë, Flutura Açka e quan “stalinist”, reagon botuesi Bujar Hudhri

E fshiu nga fotoja me Kadarenë, Flutura Açka e quan “stalinist”, reagon botuesi Bujar Hudhri

May 9, 2021 0

Një foto e publikuar në rrjetet sociale për të ilustruar bashkëpunimin e shkrimtarit Ismail Kadare me shtëpinë botuese ‘Onufri’ është bërë objekt debati mes shkrimtares Flutura Açka dhe botuesit Bujar Hudhri.

Açka, që në zgjedhjet e 25 prillit ishte e renditur e dyta për Partinë Demokratike në Qarkun e Elbasanit duke u bërë pjesë e Parlamentit të ardhshëm akuzon se “stalinistët” kanë ndërhyrë në fotografinë origjinale duke e hequr atë nga takimi me Ismail Kadarenë.

“Të paktën “stalinistët” e mi të dashur nuk e kanë në dorë të ma retushojnë fjalën!”, shkroi Açka në Facebook, duke shoqëruar foton origjinale ku shihet e para në krah të majtë të saj.

Pas kësaj deklarate të shkrimtares ka reaguar botuesi i “Onufrit”, Bujar Hudhri, që e akuzon Açkën si mosmirënjohëse dhe “censuruese” r eale pasi në jetëshkrimin e publikuar e ka mbajtur të fshehtë faktin se ka punuar për pesë vite me radhë në shtëpinë botuese “Onufri”.

Në reagimin me titull “Një sfidë publike Flutura Açkës dhe komentuesve të saj të nderuar”, Hudhri citon jetëshkrimin e shkrimtares.

“Flutura Açka, pas studimeve universitare, punoi për disa vite si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpi botuese. Më 2001, bashkë me të shoqin e saj holandez, ngriti shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë”. Prej më shumë se 20 vjetësh, këto janë të dhënat biografike të Fluturës. Pra Onufri ku ajo ka punuar rreth pesë vjet, ku iu botuan tre libra, ku mësoi ç’është botimi i një libri, nuk përmendet askund. As tek librat që i ka botuar tek Toena, as te shtëpia e saj botuese. Në asnjë katalog, në asnjë shënim biografik, në asnjë intervistë në shtyp apo televizon. Deri para një muaj kur foli në televizionin e Elbasanit! Dhe nuk i kam thënë asnjë fjalë, asnjëherë, përkundrazi, e urova të zgjidhej deputete! A është ky një censurim i Onufrit?!”, thotë ai.

Mos komentuesve në këtë postim të Hudhrit është edhe vetë shkrimtarja Açka.

“Bujar nuk kam asnje sfidë publike me ty, thjesht bëra komentin mbi foton e retushuar, me po atë të drejtë që i dhe vetes ta retushoje. Stalinist e thashë në thonjëza enkas që të mos keqinterpretohet, siç ke bërë ti. Të tjerat as nuk janë përgjegjësia ime. Jam sjellë fisnike në miqësinë me ty, i tillë ke detyrimin edhe ti. Flutura”, thotë ajo. revista.one/

Fotoja e perpunuar, ku eshte hequr Flutura Acka