“Miss Universe Kosova”, Tuti Sejdiu rrëfen momentin e trafikimit të saj në Serbi

“Miss Universe Kosova”, Tuti Sejdiu rrëfen momentin e trafikimit të saj në Serbi

July 19, 2021 0

Bukuroshja e njohur nga Gjilani, Tuti Sejdiu, është shpallur pak javë më parë “Miss Universe Kosova”.

Ajo është bërë e njohur edhe për historinë e saj të trishtë, pasi si fëmijë 13-vjeçar ajo ishte përdhunuar, por edhe i kishte shpëtuar një trafikimi të mundshëm në atë kohë.

Thuhet se komshiu i familjes ishte ai që e mori Sejdiun dhe e çoi në Novi Sad të Serbisë, duke e detyruar të kalojë nëpër duart e shumë meshkujve pa dëshirën e saj.

Tuti në një intervistë të fundit për “Prive”, ka treguar se si fatmirësisht ajo u shpëtua nga ndërhyrja e Interpolit.

“Në atë kohë unë isha fëmijë 13 vjeç dhe nuk isha që kuptoja gjithçka, dhe gjuhën serbe nuk e di dhe nuk e kam ditur as atëherë. Në ato momente e kam kuptuar që diçka nuk është në rregull, sepse ka pasur shumë njerëz – e kam parë situatën si është [sepse nuk po dua të flas në detaje]. Mirëpo në ditën e tetë që kam shkuar në Serbi, në ditën e tetë mua Interpoli më ka shpëtuar dhe më ka sjell në Kosovë pranë familjes time. Dhe unë atë kapitull e kam përmbyllur, nuk merrem më me të kaluarën, por luftoj vetëm të ketë drejtësi. Dhe kur të bëhet drejtësia, atëherë nuk kam më asgjë personale me askënd”, ka thënë bukuroshja gjilanase.

Ajo e mban mend mirë procesin pas shpëtimit, i cili përfundoi me një rehabilitim për të miturën në atë kohë.

“Gjatë atyre tetë ditëve ka qenë ankthi im më i tmerrshëm, nuk e kam ditur as a po shpëtoj as a nuk po shpëtoj! Pas tetë ditëve kur më gjetën Interpoli mua, më dërguan direkt në një rehabilitim dhe atje prita familjen deri erdhën të më marrin. Por derisa i kalova ato ditë e këto vite deri më sot, kam pasur shumë vështirësi – është dashur të bëjë shumë sakrifica në jetë për t’i tejkaluar krejt këto sfida, por sfidat po të bënin shumë të fortë”, ka thënë tutje modelja e zgjedhur ‘miss’.

Me titulli ne ri që i është dhënë asaj, Tuti ka fituar të drejtën e përfaqësimit të Kosovës në spektaklin e madh “Miss Universe”, që sivjet mbahet në ShBA. revista.one/