‘Nëntori i ftohtë’, filmi i Kosovës bëhet pjesë e platformës Netflix

‘Nëntori i ftohtë’, filmi i Kosovës bëhet pjesë e platformës Netflix

November 28, 2022 0

Prodhimi kinematografik i Kosovës, “Nëntor i ftohtë”, i regjisorit Ismet Sijarina është bërë pjesë e platformës botërore “Netflix” për 5 vite.

“Të dashur miq, kam kënaqësinë t’ju njoftoj se duke filluar nga sot, më 26 nëntor, dhe për pesë vitet e ardhshme, do të keni mundësi të shihni filmin tonë ‘Nëntori i ftohtë’ në ‘Netflix International’ dhe ‘Netflix Europe’”, ka njoftuar regjisori Ismet Sijarina.

Megjithëse zyrtarizimi i marrëveshjes u bë tani, palët ishin dakordësuar që prej gushtit të vitit të kaluar.

“Marrëveshja me ‘Netflix’ ka qenë një proces i gjatë dhe i lodhshëm. Gjatë gjithë verës 2021 kemi punuar intensivisht në këtë marrëveshje dhe e kemi nënshkruar në fund të gushtit 2021, por nuk kemi guxuar ta publikojmë deri në ditën e premierës në ‘Netflix’”, ka thënë Sijarina për KOHA Ditore.

“Nëntor i ftohtë” sjell një histori familjare, bazuar në ngjarje të vërteta, në një kohë të turbullt të fillimviteve ‘90 në Kosovë. Me zbatimin e masave jashtëzakonisht të ashpra të autoriteteve serbe në të gjithë aspektet e jetës, punëtorët shqiptarë u detyruan të firmosnin një përbetim, ku e pranonin Serbinë si shtetin e tyre. Në vend të kësaj, të gjithë ata që firmosën u privuan nga puna e tyre, humbën vendin e punës, sigurimet shëndetësore, fondet për fëmijët e tyre, pasuritë e tyre të patundshme.

Me skenar të Ismet Sijarinës dhe Arian Krasniqit, premiera e “Nëntorit të ftohtë” ishte dhënë në San Sebastian në vitin 2018. Ai është prodhim i “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “Audiohaus” dhe “Ikone” dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Në tetorin e vitit 2018, “Nëntor i ftohtë” kishte fituar Çmimin e Audiencës në Zürich Film Festival, ndërsa në vitin 2020, aktorja e këtij filmi, Adriana Matoshi, kishte fituar Çmimin Aktorja më e Mirë, në Festivalin e Francës, “See a Paris 2020”. Në film luajnë gjithashtu Kushtrim Hoxha, Emir Haxhihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic Lum Veseli e të tjerë.