Punonte si bojaxhi në Malin e Zi, vrasësit të Behar Sofisë iu premtuan 50 mijë euro

Punonte si bojaxhi në Malin e Zi, vrasësit të Behar Sofisë iu premtuan 50 mijë euro

March 13, 2021 0

50 mijë euro dyshohet se i janë premtuar 23 vjeçarit Ernejt Shytit për të vrarë Behar Sofinë. Ngjarja e rëndë ndodhi 20 ditë më parë në mes të Tiranës, në zonën e Piramidës.

23 vjeçari është arrestuar në Malin e Zi pas shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve shqiptare dhe atyre malazeze, dhe mbrëmjen e djeshme i është dorëzuar Policisë shqiptare. Ernejt Shyti raportohet se ishte emigrant në shtetin fqinj dhe punonte si bojaxhi.

Ai ka pranuar se është vrasësi i Behar Sofisë dhe ka pohuar para hetuesve në Tiranë se është paguar për të kryer krimin. Ernejt Shyti është “zbërthyer” para hetuesve sepse nuk ka marrë pagesën e premtuar për ekzekutimin e Sofisë.

Burimet bëjnë me dije se bashkë me 23 vjeçarin janë arrestuar dhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë të tij. Dy prej tyre janë nga Fushë-Kruja, të cilët kanë kontaktuar Ernejt Shytin dhe i kanë dhënë detajet për vrasjen, ndërsa i treti e ka ndihmuar duke vëzhguar lëvizjet e Behar Sofisë.

Ka qenë dëshmia e vrasësit me pagesë që ka çuar në arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij, por jo te porositësi. Shyti nuk ka treguar emrin e porositësit apo urdhëruesit, i cili po ashtu dyshohet se është nga zona e Fushë-Krujës./revista.one/