Rama bisedon me Zelenskyn: Do bëjmë gjithçka mundemi që Ukraina të triumfojë

Rama bisedon me Zelenskyn: Do bëjmë gjithçka mundemi që Ukraina të triumfojë

March 5, 2022 0

Kryeministri i vendit, Edi Rama zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy këtë të shtunë.

Në një postim në Twitter presidenti ukrainas dha detaje në lidhje me bisedën. Ai shprehet se folën për luftën kundër pushtuesve rusë, duke vlerësuar punën e përbashkët, ndihmën dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë.

“Kam pasur një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama. Folëm për luftën kundër pushtuesve rusë. U diskutua për punën e përbashkët brenda OKB-së. Ne vlerësojmë ndihmën praktike dhe mbështetjen e Shqipërisë në këtë kohë të vështirë. Ne po bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund luftës. StopRusia”, shkruan Zelensky.

Rama theksoi se do të bëjë gjithçka që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse.

“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falënderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës. I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, shkruan Rama.

Shqipëria është një ndër shtetet që ka shprehur mbështetje për Ukrainën duke kundërshtuar sulmet ruse. duke nisur nga roli ynë bashkëpenëmbajtës me SHBA-në në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm.

Ushtria ruse vendosi të ndalojë të shtënat në ditën e 10 të luftës, për të lejuar civilët të largohen nga Mariupol dhe Volnovakha.

Presidenti rus, Vladimir Putin i tha kancelarit gjerman Olaf Scholz të premten se një raund i tretë i bisedimeve ishte planifikuar për këtë fundjavë.  Kujtojmë se dy raundet e mëparshme janë mbajtur në Bjellorusi, pa rezultat.

Ditën e hënë gjithashtu pritet të mblidhet Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të diskutuar krizën humanitare në Ukrainë me kërkesë nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria.

Ushtria ruse vijon të avancojë në qytetin e Mariupolit dhe Chernihiv.

Derisa numri i viktimave civile është ende i paqartë, agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se mbi milion njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.Qyteti i parë ukrainas që u pushtua ishte Herson.

Raketat ruse synojnë gjithashtu kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Harkiv, derisa një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit vazhdon të jetë e bllokuar në rrugë, ndërsa pentagoni thotë se është 25 km larg nga qendra e kryeqytetit. revista.one/