Rama braktis emisionin e Babaramos: Turp të kesh!

Rama braktis emisionin e Babaramos: Turp të kesh!

April 19, 2021 0

Kryeministri Rama e braktisur studion e Report Tv gjatë një interviste me gazetarin Ilir Babaramo.  Rama hoqi mikrofonat dhe refuzoi të vijonte pas përplasjeve herë pas here me drejtuesin Ilir Babaramo.

Rama ngacmohet për hashashin

Babaramo: Bonaparti në fushatën e Egjiptit tha: “Shkencëtarët dhe gomarët në mes, t’i mbrojmë”.

Rama: Janë shumë të rëndësishëm, madje e fyen gomarin kur e krahason me disa këtu sepse gomari mbajti Perëndinë në kurriz dhe unë e admiroj gomarin për sa shumë mban dhe sa shumë ngarkesë çon nga një vend në një vend tjetër, por meqë më the kali kryesor i betejës, po të tregoj kalin. Vëri emrin që kanë dhe pastaj rrimë e merremi patjetër me gomarët, nuk ka asnjë problem. Por mos më thuaj që kali kryesor i betejës sime janë këta. Këta nuk janë kali kryesor i betejës sime. Kali kryesor i betejës sime është që eksportet bujqësore, meqë më thua se çfarë bëtë, e di ti Babaramo që ne sot, Shqipëria ime dhe e jotja, është eksportuesja më e madhe në Ballkan …

Babaramo:Për hashash?

Rama:Turp të kesh.

Babaramo:Jo, turp të kenë ata që e bëjnë dhe ata që i mbrojnë ata që e bëjnë.

Turp të kesh.

Babaramo: Turp të ketë Departamenti i Shtetit që thotë në raportin e tij që Shqipëria është eksportuesi më i madh i hashashit në Evropë.

Rama: Më dëgjo mua.

Babaramo: Turp të kenë ata që e bëjnë dhe turp të ketë ai që i mbron.

Rama: Tani më dëgjo mua këtu, të të them se për çfarë ti duhet të dish dhe të jesh edhe krenar, madje. E di ti që Shqipëria është eksportuesja më e madhe e një sërë produktesh bujqësore në rajon, përfshirë edhe Serbinë, përfshirë edhe Kroacinë? E di ti që Shqipëria eksporton sasinë më të madhe të domateve në rajon? E di ti që Shqipëria eksporton sasinë më të madhe të shalqirit në rajon? E di ti që Shqipëria eksporton sasinë më të madhe të perimeve në rajon? E di ti këtë? E di ti që për sasinë e eksportit të frutave Shqipëria renditet e dyta, vetëm pas Serbisë?

Babaramo: Sepse këto shifrat e propagandës, kam dëgjuar edhe një shifër unë, mblodhe edhe ambasadorë aty te Pallati i Kongreseve dhe doli d.m.th., me ato shifrat 99,8, si të shokut Enver, d.m.th. që është korrur, është shkatërruar kanabisi, 99,8 e kanabisit në Shqipëri. Por vetëm në oborrin e Kryeministrisë, aty te kërpudha nuk qe mbjellë. U rrëzua edhe avioni. U rrëzuan dy avionë.

Rama: Turp të kesh.

Babaramo: Të kem unë turp?

Rama: Po.

Babaramo: Ju nuk jeni turp d.m.th. nuk ndieni turp që ju ka ndodhur kjo? U rrëzua avioni ma hashash. Çfarë mase morët ju si shtet?

Rama: E para, njëherë…

Babaramo: Në një vend normal, në vendin e Enarkëve të Holondit, po të kishit telefonuar Holondin, do t’i kishit thënë: më ndodhi kjo. Unë vij vërdallë dua të bëj një aerodrom që të sjell turistë, por nuk po e bëj dot. Por ndërkohë industria paralele e hashashit ka ndërtuar një pistë, 20 km në vijë ajrore nga kryeqyteti”. U rrëzua avioni me hashash aty. As polici i zonës aty nuk u shkarkua. Duhej të ishte stuhi shkarkimesh. Por vazhdojmë, turpi mbetet i imi.

Rama: Vazhdo, vazhdo, po të dëgjoj.

Babaramo: Këtë kisha.

Rama: Vazhdo se po të dëgjoj. Vazhdo, s’ka problem. Po të dëgjoj.

Rama: Turpi yt ishte për faktin që unë po të flisja me pasion për shifrat e eksporteve bujqësore, për të shpjeguar se si do të shkojmë në 1 miliardë, pasi kemi vajtur në 400 milionë eksporte bujqësore, dhe ti bëre një ndërhyrje të turpshme. Ndërkohë që s’ka problem, mund ta përmendësh edhe hashashin…

“Pse e ftova Bashën”

Gazetari Ilir Babaramo e pyeti Kryeministrin Rama, nëse është një kurth ftesa e tij për bashkëpunim pas 25 prillit për Lulzim Bashën.

Rama: “S’ka lidhje fare. Unë nuk merrem me kurthe. Unë di që PS-ja do të fitojë zgjedhjet dhe unë di që dua dhe do të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo thjesht në sensin e të qenit shefi i qeverisë që punon për të gjithë se për të gjithë punojnë të gjitha qeveritë, por në sensin e të qenit kryeministri tek i cili të gjithë shqiptarët, pavarësisht se më kanë votuar apo jo, të shohin njeriun e bashkimit, jo të ndarjes, të shohin njeriun e solidaritetit me të gjithë dhe jo të përçarjes, të shohin njeriun që është pikë referimi për të gjithë. Këtë dua dhe do të bëj unë”, u përgjigj Rama.

Patronazhistët

Kryeministri Rama foli edhe për çështjen e patronazhistëve.

‘Patronazhistët janë në punën e tyre. Bëjnë detyrën e tyre, janë garancia e fitores sonë. Patronazhistët janë totalisht vullnetarë. Janë një figurë që është figurë kyçe e partive të organizuara dhe është një figurë e cila, besoj unë, nuk gaboj, ka marrë një rol të posaçëm edhe një, si të thuash, rol tërheqës edhe për shumë parti të tjera duke nisur nga partitë e mëdha amerikane, Partia Republikane dhe Partia Demokrate.  Jo, patronazhistët nuk kanë asnjë lidhje me “duhet të na japësh votën që të të bëjmë legalizimin”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se të gjitha partitë, edhe në botë, punojnë me këtë sistem.

Rama largohet nga studio

“Këtu mbyllet intervista. Jo, ne nuk kthehemi asgjëkund. Herë tjetër, kur fton kryeministrin, fol me kryeministrin. Unë jam i gatshëm të vij prapë, por këtu mbyllet intervista. Unë nuk mundem më të vazhdoj”, i tha Rama Babaramos.

Ndërprerja ka ardhur pas mbi 60 minuta pyetje mbi tematikat më të nxehta të aktualitetit politik, kur mungojnë vetem 6 ditë nga dita e zgjedhjeve.

“Të jap fjalën solemnisht që menjëherë pasi të fitoj zgjedhjet, do të rikthehem për të vazhduar të shuajmë kuriozitetin e shikuesve”, tha ndër të tjera Kryeministri.