Tritol makinës së prokurorit që ka arrestuar Dritan Dajtin

Tritol makinës së prokurorit që ka arrestuar Dritan Dajtin

March 11, 2021 0

Makina e prokurorit Arjan Muça shpërtheu mbrëmjen e sotme në një parking në zonën e “Komunës së Parisit”.

Arjan Muça është një emër i njohur, pasi ka qenë shefi i Operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit në 7 gusht 2009, ku për pasojë mbetën të vdekur 4 policë.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë me 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit me në krye Arjan Muçën, ndërhynë në zonën e plazhit në Durrës për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.

Më pas Muça është emëruar prokuror në Gjirokastër, ndërkohë që muajt e fundit është komanduar në Tiranë te Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Arjan Muça është bashkëshorti i Gentiana Muçës, e cila është gjyqtare në Gjykatën Administrative të Tiranës, ndaj policia po heton nëse ngjarja lidhet edhe me detyrën e saj.
Drejtori i policisë së Tiranës Rebani Jaupi ka dhënë detaje mbi shpërthimin e makinës së prokurorit Arjan Muça, ku tregoi se mjeti është dëmtuar në pjesën e përparme.

Jaupi tregoi se prokurori prej dy vitesh e parkonte mjetin në parkimin ku edhe ndodhi shpërthimi.

“Aktualisht po kryhen veprimet, mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme., Makina përdoret nga ky prokuror. Prej një periudhe 2 vjeçare çdo natë parkohet pranë kësaj qendre. Janë marrë masa nga policia për dokumentimin e kësaj vepre penale. Ska dëmtime në njerëz dhe as të mjeteve të tjera. Ska shpërthim të makinës dhe të ketë dëmtime dhe në automjete të tjera. Është një shpërthim që ka ndodhur vetëm në pjesën e përparme të makinës. Ska pasur asnjë person aty afër”, tha Rebani Jaupi.

Njoftimi i policisë:

Me datë 11.03.2021, rreth orës 19:30, tek Komuna e Parisit, në rrethana ende të paqarta ka shpërthyer dyshohet si pasojë e lëndës plasëse mjeti i parkuar në pronësi të shtetasit A. M., ku ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet ne vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shërbimet e Policisë po kontrollojnë zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.

/revista.one/