Varhelyi: Pa një Kuvend të plotë s’mund të ecet drejt BE! Rama fton PD-në

Varhelyi: Pa një Kuvend të plotë s’mund të ecet drejt BE! Rama fton PD-në

May 5, 2021 0

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi tha se pret rezultatet përfundimtare të tyre. Megjithatë e bëri të qartë se pa një parlament të plotë nuk mund të ecet drejt BE-së. Nga Rinasi, pasi solli sot në Shqipëri rreth 5 mijë doza vaksinash Pfizer, Varhelyi nuk la jashtë vëmendjes zgjedhjet. Ai e vuri theksin në 2 pika të rëndësishme, hetimin e autoriteteve për pretendimet e vjedhjes së votës si edhe fillimin e punës nga Kuvendi për zbatimin e reformave. Keto janë vendimtare për çeljen e rrugës Europian të vendit.

E në këtë kuadër, në realizimin e këtij qëllimi madhor për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama përsëriti edhe një herë, në sy të komisionerit, ftesën drejtuar PD-së për bashkëpunim pa asnjë kusht, kurdoqoftë dhe sidoqoftë. Sipas Rames, në këtë mandat mazhoranca do të qëndrojë larg konflikteve politike “për të ngjitur Shqipërinë në majë”.

Sa i përket situatës së pandemisë, e cila ishte dhe motivi kryesor i vizitës së tij, Komisioneri për Zgjerim tha se unioni ka rekomanduar që të hapen dyert për vendet e Ballkanit që qytetarët të lëvizin lirisht. Kjo pasi situata epidemiologjike është përmirësuar.

Ndërsa Rama theksoi se Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht dhe asnjë pengesë për të gjithë ata që do të duan të vijnë në Shqipëri për sezonin turistik.

Në fund të vizitës së tij të shkurtër në Tiranë, komisioneri zhvilloi edhe edhe një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Vizita e Komisionerit për Zgjerim ka si fokus kryesor ndihmën e BE për Shqipërinë për të përballuar pandeminë si dhe dorëzimin e pjesës së parë të 145 mijë vaksinave të Pfizer, të financuara nga Bashkimi Evropian.

Të hënën ne 3 maj,  komisioneri Evropian ka nisur turin e tij në Ballkanin Perëndimor. E para ndalesë për Varhelyi ishte Serbia, ku ai u takua me kryeministren Ana Bërnabiç. Vizitën e tij ai do ta mbyllë në Kosovë.